Paditësja S.B., me profesion kimiste teknologe, ka lidhur në vitin 2010 një kontratë pune me shoqërinë “B.Ç” sh.p.k., për të ushtruar detyrën e drejtueses teknike, e nevojshme për licencimin e aktivitetit të subjektit. Sipas kontratës, për një periudhë pesëvjeçare ajo do të paguhej me një pagë mujore prej 25,000 lekësh. Megjithëse nuk ka ushtruar realisht këtë funksion, shoqëria ka përfituar nga diploma e saj për të marrë licencën. Për këtë arsye, S.B. Ka ngitur padi pagesën e detyrimeve financiare dhe shpërblimin e dëmeve që burojnë nga kontrata e punës.
1. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër (25.01.2016) Rrëzoi padinë.
Gjykata ka arsyetuar se zgjidhja e kontratës së punës është bërë në mënyrë të ligjshme, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e paditëses, e cila nuk është paraqitur asnjëherë në vendin e punës, sipas listave të prezencës dhe mungesës së pagesave. Është konstatuar se paditësja ka shkelur detyrimet kontraktuale, duke i dhënë të drejtë palës së paditur për zgjidhjen e kontratës. Kërkesa për pagesë është cilësuar e parashkruar, në zbatim të nenit 203 të Kodit të Punës, pasi ka kaluar afati trevjeçar nga lindja e së drejtës. Kundër këtij vendimi, paditësja ka paraqitur ankim.
2. Gjykata e Apelit Gjirokastër (13.04.2016)
Vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Gjirokastër. Gjykata e Apelit me arsyetimin se Kontrata e Punës e lidhur mes palëve nuk ka pasur si qëllim ardhjen e pasojave juridike ka konstatuar pavlefshmërinë absolute bazuar në nenin 92/ç të Kodit Civil pasi kontrata është lidhur formalisht vetëm për të mundësuar licensimin e palës së paditur. Gjykata e Apelit bazon arsyetimin e saj edhe në vendimin unifikues nr. 13/2006 të KB Gjykatës së Lartë. Një veprim juridik absolutisht i pavlefshëm nuk sjell pasoja juridike dhe për rrjedhojë pretendimet e paditëses me të drejtë janë rrëzuar nga Gjykata e Shkallës së Parë. Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs pala paditëse
3. Gjykata e Lartë – Kolegji Civil, më 16.07.2025,
ka pranuar rekursin dhe ka urdhëruar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, duke urdhëruar rishqyrtim nga një trup tjetër gjykues në Gjykatën e Apelit Juridiksioni i Përgjithshëm, Tiranë. Kolegji ka vlerësuar se kontrata e punës nuk mund të konsiderohet fiktive vetëm sepse njëra palë nuk e ka zbatuar atë, por mungesa e vullnetit reciprok për krijimin e pasojave juridike duhet të provohet qartë. Gjykata e Apelit ka interpretuar në mënyrë të gabuar nenin 12 të Kodit të Punës. Kontrata e punës përmban katër elementë kryesorë: ofrimin e shërbimit, pagesën, varësinë hierarkike dhe afatin, të cilat janë të pranishme dhe e bëjnë kontratën të vlefshme, madje edhe e regjistruar në QKB. Punëdhënësi ka detyrimin të paguajë pagën edhe nëse nuk e zë me punë punëmarrësin për shkak të fajit të tij, dhe zgjidhja e kontratës mund të nisë vetëm kur punëmarrësi refuzon të kryejë detyrat.


