Projektvendimi synon përmirësimin dhe përshtatjen e kuadrit rregullator ekzistues, duke thjeshtuar procedurat dhe rishikuar dokumentacionin për pajisjen me vizë dhe leje qëndrimi/unike, me qëllim lehtësimin e procesit për aplikuesit.
Çfarë sjell ndryshe projektvendimi?
-Përjashtohen nga detyrimi për t’u pajisur me vizë, për një periudhë deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, për qëllime të barasvlershme me ato të vizës së tipit «C», shtetasit e vendeve të treta që kanë vizë shumëhyrëse ose leje qëndrimi të vlefshme nga një shtet i BE-së.
-Zgjatet vlefshmëria e Lejes Provizore deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Tarifa e aplikimit mbetet e vlefshme për 30 ditë, duke mundësuar riaplikim në rast refuzimi.
Dokumentacion shtesë për pajisjen me vizë
-Kërkohet leje qëndrimi mbi 12 muaj nga vendi i rezidencës(me vlefshmëri të paktën 3 muaj pas vizës), ose viza të vlefshme si Shengen, SHBA, MB ose shqiptare (edhe elektronike).
Shkurtim afatesh
-Afati i shqyrtimit dhe lëshimit të lejes unike reduktohet nga 12 javë në 4 javë, nga dita e aplikimit.
Risi ligjore
-Shtohet një kategori e veçantë për leje unike për punëtor shtëpie (D/PSH).
-Shtohet si kërkesë e përgjithshme paraqitja e dëshmisë së penaliteti, jo më e vjetër se 6 muaj. Kjo kërkesë nuk aplikohet për aplikantët nën moshën 16 vjeç dhe mbi moshën 75 vjeç, duke respektuar parimin e proporcionalitetit.
-Shtohet Kreu IV për pajisjen me Certifikatën e Regjistrimit për qëndrime më të gjata se 3 (tre) muaj, për shtetasit e Bashkimit Evropian, të cilët janë punëmarrës / vetëpunësuar, persona me të ardhura të mjaftueshme, student apo anëtarë familjeje.
-Shtohet Kreu V për pajisjen me Kartëqëndrimi të një anëtari të familjes së një shtetasi të BE-së, që nuk është shtetas i BE-së.


