Vendim i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë
Rrethanat e çështjes
Paditësi, B.K. është caktuar me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes pjesë e grupit të punës për përmirësimin e uniformës ushtarake, gradave dhe shenjave që mbahen në uniformën ushtarake. Në këtë kuadër, është lidhur edhe një kontratë për pagesën e B.K.-së, për periudhën 01.04.2003 – 30.11.2003.
Grupi i punës ka prezantuar disa modele, nga të cilat, Drejtoria e Logjistikës, ka udhëzuar që për formën dhe modelin t’i referohen katalogut të paditësit, për sigurimin e dekoracioneve të modeleve të uniformës së re ushtarake nëpërmjet procedurave të prokurimit, pasi B.K.-ja është anëtar i grupit të punës. B.K.-ja ka dorëzuar modelet grafike dy dimensionale për të gjitha objektet që prokurohen për sfilatën ushtare të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes gjatë muajit shtator 2003. B.K.-ja, me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, është shpërblyer për punën e kryer nga periudha 01.04.2003 – 17.10.2003.
Me propozimin të Ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave, ka vendosur me vendimin nr. 124, datë 04.03.2004, “Për miratimin e uniformave, të gradave dhe shenjave që mbahen në uniformën ushtarake të Forcave të Armatosura”, miratimin e uniformave, gradave dhe shenjave që mbahen në uniformën ushtarake të strukturave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në datën 24.07.2007, B.K.-ja i është drejtuar me padi gjykatës së shkallës së parë Tiranë, duke kërkuar detyrimin e palës së paditur (Ministria e Mbrojtjes) për ta paguar për punën e kryer si vepër artistike që mbrohet nga ligji “Për të drejtën e autorit”.
Vlerësimi i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, paditësi B.K. ka realizuar punimet (për përmirësimin e uniformave ushtarake) në kuadër të punës së kryer si anëtar i grupit të punës, të ngritur me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, dhe jo si stilist i jashtëm, i cili, në përfundim e shet këtë vepër si të produkt të tijin.
Gjithashtu, në vlerësimin e marrëdhënies juridike të krijuar ndërmjet B.K-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, Kolegji Administrativ çmon se, në çdo korrespondencë, Ministria e Mbrojtjes i është referuar B.K.-së si anëtar i grupit të punës për përmirësimin e uniformës ushtarake, gradave dhe shenjave që mbahen në uniformën ushtarake. Kjo marrëdhënie juridike e krijuar mes palës paditëse dhe palës së paditur nuk krijon të drejta të mbrojtura nga ligji nr. 9380 datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit”.