PROJEKTLIGJI PËR STARTUP-ET
Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë është depozituar projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve””. Referuar ndryshimeve të propozuara, projektligji ka për qëllim ndryshimin e mekanizmit të dhënies së masave mbështetëse për nismat në ekosistemin vendas të startup-eve, duke lehtësuar dhe thjeshtuar procedurat, si dhe krijimin dhe zhvillimin e startup -eve dhe veprimtarisë për punonjësve lëvizës digjital në Shqipëri, duke propozuar një paketë stimuluese ndaj tyre.
Më konkretisht, ndryshimet lidhur me veprimtarinë e punonjësve lëvizës digjital mundësojnë:
- riformulimin e qëllimit dhe objektit të ligjit, duke përfshirë dhe rregulluar edhe veprimtarinë e punonjësit lëvizës digjital;
- riformulim të përkufizimit të punonjësit lëvizës digjital;
- masa mbështetëse për veprimtarinë e punonjësit digjital në territorin e Republikës së Shqipërisë:
përjashtimin e punonjësit lëvizës digjital si “rezident tatimor” në territorin shqiptar për një periudhë prej 12 muajsh;
- pavarësisht dispozitave të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, një entitet jo rezident nuk do të konsiderohet që krijon seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë vetëm se merr shërbime nga një punonjës lëvizës digjital ose vetëm sepse ka punësuar një punonjës lëvizës digjital;
- veprimtaria e nomadit digjital nuk do të konsiderohet se krijon një vend fiks biznesi, si dhe nuk do të konsiderohet se vepron si agjent i pavarur i një entiteti jo rezident në Republikën e Shqipërisë, për sa kohë punonjësi lëvizës digjital nuk ka autoritetin të përfundojë kontrata në emër të entitetit jo rezident apo nuk angazhohet në ndonjë veprimtari që nuk është e lidhur me rolin e tij si punonjës lëvizës digjital;
- parashikimin ligjor se punonjësit lëvizës digjital duhet të pajisen me leje unike, sipas legjislacionit në fuqi për të huajt.
Për sa i përket skemës së dhënies së masave mbështetëse për nismat në ekosistemin e startup-eve, ndryshimet konsistojnë në:
- shpalljen e aplikantëve fitues pas shqyrtimit të aplikimit me urdhër të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen (aktualisht fituesit e përzgjedhur nga komisioni i vlerësimit shpallen me vendim të Këshillit të Ministrave);
- shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave të startup-eve dhe lehtësuesve të startup-eve nga një komision vlerësimi dhe një komision ankimi (në thirrjen e parë shqyrtimi i ankimeve u krye nga komisioni i vlerësimit, i kryesuar nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen);
- disbursimin e granteve nga sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar (aktualisht disbursimi kryhet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve);
- krijimin e një strukture të posaçme (STARTUP ALBANIA) për shqyrtimin e praktikës dokumentare për zbatimin e granteve fituese dhe për monitorimin e zbatimit të granteve.
Gjithashtu, referuar propozimeve STARTUP ALBANIA:
- do të jetë përgjegjës për t’i propozuar ministrit përgjegjës për sipërmarrjen shpalljen e thirrjes për aplikime nga startup-et dhe lehtësuesit e startup- eve, si dhe publikimin e kësaj thirrje në faqen zyrtare;
- do të veprojë si sekretariat teknik i Këshillit të startup-eve, duke e mbështetur këtë të fundit në përmbushjen e detyrave ligjore (aktualisht këtë rol e ushtron kabineti i ministrit përgjegjës për sipërmarrjen);
- do të asistojë gjithashtu ministrin përgjegjës për sipërmarrjen në ushtrimin e detyrave ligjore në ngarkim të këtij të fundit (aktualisht ministri përgjegjës për sipërmarrjen ndihmohet nga sekretariati teknik i Këshillit EkonOmik Kombëtar);
- do të administrojë regjistrin e startup-eve dhe lehtësuesve (aktualisht administrohet nga ministri përgjegjës për sipërmarrjen);
- do të ofrojë shërbimin one-stop-shop për mbështetjen e zhvillimit dhe rritjes së startup-eve.
- kohëzgjatja e periudhës së inkubimit dhe statusit si startup do të mund të rinovohet (aktualisht ofrohet vetëm mundësia e inkubimit dhe ruajtjes së statusit si startup për 24 muaj).