STARBUCKS COFFEE V. COFFEE ROCKS

Në datën 12 shtator 2013, znj. Hasmik Nersesyan aplikoi për regjistrimin e një marke tregtare pranë Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Europian (EUIPO). Shërbimet për të cilat kërkohej regjistrimi përfshihen në Klasën 43 të Marrëveshjes së Nicës, që përmban përshkrimin “shërbime për ofrimin e pijeve”. Kërkesa për regjistrim u publikua me datë 26 nëntor 2013 në buletinin e markave tregtare dhe u kundërshtua nga Starbucks Corp. me datë 25 shkurt 2014. Zyra e Kundërshtimeve (ZK) refuzoi kundërshtimin e Starbucks Corp. në tërësi. Vendimi i ZK-së u ankimua pranë EUIPO, por Bordi i Apelimit (BA) pushoi çështjen e ankimuar nga Starbucks Corp.

Çështja u dërgua në Gjykatën Europiane të Drejtësisë (GjED), ku Starbucks Corp. kërkoi anulimin e vendimit të EUIPO.

Marka e kundërshtuar për t’u regjistruar

Marka tregtare e regjistruar më parë

Vlerësimi i GjED

Vlerësimi global i mundësisë për konfuzion që mund të shkaktojë regjistrimi i një marke të ngjashme në drejtim të ngjashmërisë vizuale, fonetike ose konceptuale, duhet të bazohet në përshtypjen e përgjithshme të shenjave, duke pasur në mendje elementët e tyre dallues dhe dominues. Perceptimi i shenjave nga konsumatori mesatar për të mirat dhe shërbimet në fjalë luan rol kyç në vlerësimin global të mundësisë për konfuzion. Kështu, konsumatori mesatar zakonisht percepton shenjën në tërësi, pa u ndaluar në analizën e detajeve.

Nga pikëpamja e publikut, dy marka tregtare janë të ngjashme kur ato janë të paktën pjesërisht identike në një ose më shumë aspekte. Edhe nëse elementët dominues (fjala STARBUCKS krahasuar me COFFEE ROCKS) janë tërësisht të ndryshme, nuk mund të thuhet se elementët e tjerë janë të papërfillshëm në përshtypjen e përgjithshme që krijojnë këto marka. Për më tepër, të dyja markat përdorin fjalën “COFFEE” si një ndër elementët dominues. Ky element duhet të merret në konsideratë pavarësisht karakterit përshkrues të mallrave/shërbimeve në fjalë. Megjithëse elementët përshkrues të një marke tregtare nuk konsiderohen zakonisht nga publiku si dominues, kjo nuk do të thotë se elementët përshkrues janë të papërfillshëm në përshtypjen e përgjithshme. Prandaj, është e nevojshme të shqyrtohet nëse elementë të tjerë të markës mund të dominojnë, në vetvete, në kujtesën e publikut përkatës për atë markë.

Gjithashtu, vlerësimi i ngjashmërive ndërmjet markave nuk kërkon krahasimin e vetëm një komponenti të markës tregtare me një markë tjetër. Në fakt, krahasimi duhet kryer duke ekzaminuar të dyja markat/secilën në tërësi. Vetëm nëse të gjithë elementët e tjerë të markës janë të papërfillshëm, atëherë vlerësimi i ngjashmërisë mund të kryhet në bazë të elementit dominues.

GjED theksoi se vlerësimi global i mundësisë për konfuzion nënkupton njëfarë ndërvarësie ndërmjet ngjashmërisë së markave tregtare dhe mallrave ose shërbimeve të mbuluara prej tyre. Prandaj, një shkallë e ulët ngjashmërie midis mallrave ose shërbimeve mund të kompensohet nga një shkallë e lartë ngjashmërie midis markave dhe anasjelltas.

Ndërvarësia e këtyre faktorëve përmendet shprehimisht në Recitalin 8 në preambulën e Rregullores së BE-së për Markën Tregtare të vitit 2009, e ndryshuar, sipas së cilës koncepti i ngjashmërisë duhet të interpretohet në lidhje për gjasat e konfuzionit. Vlerësimi varet nga shumë elementë, në veçanti: njohja e markës tregtare në treg, lidhja që mund të bëhet me shenjën e përdorur ose të regjistruar, dhe shkalla e ngjashmërisë ndërmjet markës tregtare me shenjën që kërkohet të regjistrohet dhe ndërmjet mallrave ose shërbimeve të identifikuara.

Së fundmi, GjED u shpreh se edhe pse elementët e fjalës në një markë janë, në parim, më të dallueshëm se elementët e saj figurativ – konsumatori mesatar do t’i ngatërrojë këto dy marka për shkak të pamjes së përgjithshme të shenjave në tërësi, ngjashmërisë fonetike të elementëve dominues ‘STARBUCKS’ dhe ‘COFFEE ROCKS’, dhe për shkak të fjalës ‘COFFEE’ në të dyja shenjat, të cilat publiku përkatës do t’i ngatërrojë me konceptin e një lokali/dyqani kafeje.

Kështu, Bordi i Apelit i EUIPO kishte gabuar në përjashtimin e çdo ngjashmërie midis shenjave dhe në veçanti, dhe në mos kryerjen e një vlerësimi të përgjithshëm të mundësisë së konfuzionit. Për rrjedhojë, vendimi i Bordit të Apelit u anulua.