1. Konteksti i Çështjes
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) shqyrtoi çështjen në kuadër të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), duke u fokusuar në ankesat e ngritura sipas nenit 5, paragrafi 3 të Konventës, në lidhje me ligjmërinë dhe proporcionalitetin e masës së sigurimit personal “arrest me burg” të vendosur ndaj kërkuesit.
Masa e sigurimit u urdhërua si pjesë e një procedimi penal ndaj kërkuesit, i cili akuzohej për shpërdorim detyre. Gjykata e Shkallës së Parë arsyetoi se prokuroria nuk kishte mbledhur ende të gjitha provat dhe se ekzistonte rreziku që kërkuesi, nese hetohej në gjendje të lirë, të manipulonte provat dhe të ushtronte ndikim mbi dëshmitarët.

2. Pretendimet e Palëve
Kërkuesi argumentoi se në momentin e arrestimit të tij, ai ishte shkarkuar nga detyra disa muaj më parë dhe për rrjedhojë nuk kishte mundësi të manipulonte të dhënat e dosjes së tenderit. Ai shtoi se dyshimet ndaj tij mbështeteshin ekskluzivisht në dokumente të sekuestruara më parë nga prokuroria, duke përjashtuar çdo rrezik për ndërhyrje në prova ose dëshmitarë.
Në lidhje me rrezikun e largimit, ai deklaroi se ishte vetëdorëzuar pranë autoriteteve dhe se konfiskimi i pasaportës ose aplikimi i masave më pak kufizuese do të mjaftonin për të garantuar praninë e tij gjatë procesit.
Gjykata e Apelit rrëzoi këto pretendime, duke vlerësuar se kërkuesi kishte lidhje të drejtpërdrejta me viktimat e veprës penale të dyshuar, me palën e favorizuar në tender dhe me të dyshuar të tjerë, çka mund të rezultonte në koordinim të tyre për manipulimin e provave.
Gjykata arriti në përfundimin se masat alternative, si ndalimi i daljes jashtë shtetit, nuk do të ishin të mjaftueshme për të neutralizuar këto rreziqe. Më tej, Gykata e Apelit cilësoi personalitetin e kërkuesit “veçanërisht të rrezikshëm”, duke pasur parasysh natyrën e veprave penale të dyshuara – shpërdorim detyre dhe keqpërdorim i fondeve publike – të cilat parashikonin dënim deri në 7 vjet burgim.
Ankesa te mëvonshme të kërkuesit u refuzuan nga gjykatat kombëtare, te cilat argumentuan se nuk kishte ndryshim të kushteve që kishin çuar në vendosjen e masës “arrest me burg”.

3. Analiza dhe Arsyetimi i Gjykatës.
Kërkuesi u ankua në bazë të nenit 5, paragrafëve 1(c) dhe 3 të KEDNJ-së, duke pretenduar se nuk kishte një bazë të vlefshme ligjore për vendosjen e tij në arrest me burg dhe se kohëzgjatja e masës kishte qenë joproporcionale.
GJEDNJ theksoi se vazhdimësia e një “dyshimi të arsyeshëm” është në kusht sine qua non për vlefshmërinë e masës “arrest me burg”, por me kalimin e kohës kjo bazë nuk mjafton më. Në këtë kuader, Gjykata shqyrtoi nëse shkaqet e tjera të dhëna nga autoritetet gjyqësore vazhdonin të justifikonin heqjen e lirisë së kërkuesit.
Duke analizuar praktikat e saj të mëparshme dhe të dhenat e çështjes, GJEDNJ arriti në përfundimin se shkaqet e dhëna nga autoritetet kombëtare nuk ishin të mjaftueshme për të justifikuar mbajtjen e kërkuesit në paraburgim për periudhën përkatëse. Gjykata konstatoi gjithashtu se autoritetet kombëtare nuk kishin demonstruar “kujdes të veçantë” në zhvillimin e procedurës gjyqësore, çka përbënte një shkelje të nenit 5, paragrafi 3 të Konventës.