Projektligji i ri “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues” synon të forcojë transparencën mbi pronësinë dhe kontrollin e personave juridikë, duke garantuar një regjistër të saktë, të përditësuar dhe të aksesueshëm të pronarëve përfitues.

📌 Zgjerimi i subjekteve që kanë detyrime regjistrimi
Sindikatat do të përfshihen ndër subjektet që kanë detyrimin për regjistrim.

📌 Afate të reja për përditësimin e të dhënave
Subjektet do të kenë detyrimin të regjistrojnë ndryshimet në të dhënat e pronarit përfitues brenda 28 ditëve kalendarike nga data e ndodhjes faktike të ndryshimit.

📌 Kontroll më i madh nga QKB
Brenda 2 ditëve pune nga marrja e aplikimit, QKB-ja mund të pezullojë aplikimin dhe t’i japë subjektit një afat prej 21 ditësh për korrigjimin e mangësive që pengojnë regjistrimin.

📌 Mënyra të reja për identifikimin e pronarit përfitues
Projektligji parashikon rregulla më të detajuara për identifikimin e pronarit përfitues. Në rast se, pas shterimit të të gjitha mjeteve të mundshme, nuk është e mundur të identifikohet një person fizik si pronar përfitues, ky fakt duhet të regjistrohet, së bashku me identifikimin e personave fizikë që mbajnë pozicione drejtuese në organet vendimmarrëse ose ekzekutive të subjektit.

📌 Mundësia për rivendosjen në afat
Kur një subjekt, për shkak të rrethanave të veçanta përtej kontrollit të tij, nuk ka qenë në gjendje të respektojë afatin për regjistrimin ose përditësimin e të dhënave mbi pronarin përfitues, ai mund të kërkojë rivendosjen në afat. Kërkesa duhet të paraqitet brenda 30 ditëve nga eliminimi i pengesës, por jo më vonë se një vit nga përfundimi i afatit të humbur.

Çfarë duhet të bëjnë bizneset?

Subjektet duhet të sigurohen që të dhënat mbi pronarët përfitues të jenë të sakta, të plota dhe të përditësuara, si dhe të disponojnë dokumentacionin e nevojshëm për të provuar strukturën e pronësisë dhe kontrollit. Në veçanti, bizneset duhet të monitorojnë çdo ndryshim në strukturën e pronësisë, kontrollit ose drejtimit dhe të respektojnë afatet e reja për regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave.

Ky material ka karakter informues dhe bazohet në projektligjin e propozuar.