PROJEKTLIGJI PËR MARKAT TREGTARE
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka depozituar për konsultim publik projektligjin “Për markat tregtare” (Projektligji). Procesi i konsultimit përfundon me datë 28.12.2023.
Projektligji synon të përmbushë disa objektiva, si më poshtë vijon:
- të rregullojë, nëpërmjet një ligji të veçantë, marrëdhëniet juridike që lidhen me markat tregtare, të cilat rregullohen aktualisht me ligjin nr. 9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, i ndryshuar,
- të përafrojë plotësisht dispozitat ligjore me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në fushën e markave tregtare, si dhe
- të plotësojë mangësitë ligjore të evidentuara nga praktika administrative e gjyqësore.
Gjithashtu, projektligji parashikon një sërë ndryshimesh, të cilat vijnë në kuadër të përafrimit të tij me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian, në fushën e markave tregtare, si dhe:
- saktëson dhe sqaron interpretimin e dispozitave ligjore, përfshirë përkufizimet;
- plotëson elementët që lidhen me shkaqet absolute dhe relative për refuzimin e shenjave që nuk mund të regjistrohen, si dhe të shenjave dhe markave që cenojnë të drejtat e pronarëve të markave të regjistruara më parë. Në këtë kuadër, projektligji ndalon agjentët ose përfaqësuesit e një pronari marke të regjistrojnë në emër të tyre një markë që i përket pronarit real të markës;
- sqaron procedurën e regjistrimit dhe përdorimit të markës, transferimit dhe licencimit të saj;
- sqaron klasifikimin e listës së mallrave/shërbimeve dhe mënyrën e trajtimit të saj;
- trajton në mënyrë të detajuar institutin e të drejtës për prioritet, duke përfshirë prioritetin që buron nga shfaqja e mallrave ose shërbimeve fillimisht në një ekspozitë ndërkombëtare dhe duke vazhduar me regjistrimet e mëparshme në vende të tjera sipas konventave ndërkombëtare përkatëse ku Shqipëria është anëtare;
- përmirëson masat për mbrojtjen e markave dhe të drejtave të pronarëve të markave nga cenimet që u bëhen atyre nga spekulatorë dhe manipulatorë të tregut. Në këtë aspekt, projektligji parashikon të drejtën e pronarëve të markave që cenohen nga veprime shkelëse të ngrenë padi, të paraqesin prova dhe t’i sigurojnë këto, të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme për parandalimin e një shkeljeje, nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe vënien nën kontroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e markave të regjistruara më parë, etj.
- detajon procedurat e regjistrimit dhe mbrojtjes së markave ndërkombëtare që regjistrohen në Zyrën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) me efekt në territorin e Republikës së Shqipërisë;
- përmirëson procedurat për shfuqizimin e markës për shkak të mospërdorimit apo për shkaqe të lidhura me deklarimin e pavlefshmërisë së markës pasi ajo është regjistruar në shkelje të shkaqeve absolute apo relative të ligjit.