Në kuadër të integrimit evropian, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka propozuar ndryshime në Ligjin nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”, i ndryshuar. Projektligji është në përputhje me nenin 70 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, duke siguruar përafrimin e plotë me Direktivën 2011/7/BE.

📌 Përkufizim i ri i ndërmarrjes:

“Ndërmarrje” do të thotë çdo formë organizimi ose entiteti, me përjashtim të një autoriteti publik, që ushtron një veprimtari ekonomike ose profesionale të pavarur, edhe kur kjo veprimtari ushtrohet nga një person i vetëm (si tregtar individual ose profesionist i vetëpunësuar).

📌 Zgjerimi i konceptit të normës referuese të interesit:

Përveç normës fikse, norma referuese e interesit për zonën euro do të përfshijë gjithashtu “normën marxhinale të interesit që rezulton nga procedurat e ankandit me normë të ndryshueshme për operacionet më të fundit kryesore të rifinancimit të Bankës Qendrore Evropiane.”

📌 Lidhur me interesin për pagesat e vonuara:

Përveç interesit ligjor, “interesi për pagesat e vonuara” do të përfshijë gjithashtu normën e interesit të rënë dakord ndërmjet palëve. Formulimi i neneve 6 dhe 7 është ndryshuar, duke sjellë një mekanizëm objektiv për llogaritjen e afateve dhe duke rregulluar rendin kronologjik të veprimeve që duhet të ndiqen për të përfituar pagesën e interesave.

📌 Afate më të shkurtra:

Neni 16, pika 2, ndryshohet si më poshtë:

Gjykata nxjerr urdhrin e ekzekutimit brenda 90 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesëpadisë në gjykatë, me kusht që detyrimi ose elementet procedurale të mos kundërshtohen.