Është publikuar në Fletoren Zyrtare Vendimi nr. 822, datë 28.10.2026, i Këshillit të Ministrave, i cili parashikon disa ndryshime në Vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’:

  1. Ulja e pragut minimal të regjistrimit në TVSH.

Pragu minimal i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH ulet nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor.

Rëndësia për Bizneset :

Bizneset që realizojnë qarkullim vjetor nga 5 deri në 10 milionë lekë do të përfshihen në skemën e regjistrimit të detyrueshëm në TVSH. Si rrjedhojë, ato do të duhet të përshtatin sistemet e faturimit, të deklarojnë TVSH-në dhe të përmbushin detyrimet përkatëse administrative dhe tatimore.

  1. Ndryshimi i referencave për normën e TVSH-së në qiradhënien dhe furnizimin e ndërtesave.

Hiqen referencat konkrete ndaj normës 20% të TVSH-së nga dispozitat që rregullojnë të drejtën për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për qiradhënien e ndërtesave, furnizimin e ndërtesave ose të pjesëve të tyre, si dhe procedurat për ushtrimin e kësaj të drejte.

Rëndësia për bizneset:

Subjektet që kryejnë veprimtari të qiradhënies ose furnizimit të ndërtesave, në rastet kur zgjedhin aplikimin e TVSH-së, do të duhet t’i referohen normës së përcaktuar në ligjin për TVSH-në në fuqi, pa u mbështetur më në referencën fikse prej 20% të parashikuar në dispozitat zbatuese.

  1. Ndryshimi i referencave për normën e TVSH-së për shërbimet e akomodimit.

Për shërbimet e akomodimit në strukturat akomoduese, vendimi përcakton se norma e reduktuar e TVSH-së do të jetë ajo e parashikuar në nenin 49 të ligjit për TVSH-në. Për këtë qëllim, hiqen nga dispozitat zbatuese referencat konkrete ndaj normave 6% dhe 20%.

Rëndësia për bizneset:

Hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese duhet të zbatojnë normën e TVSH-së të përcaktuar në nenin 49 të ligjit për TVSH-në, sipas kategorisë përkatëse të shërbimit. Për rrjedhojë, subjektet duhet të marrin në konsideratë ndryshimet ligjore që do të jenë në fuqi nga 1 janari 2027 dhe të përshtatin faturimin e tyre në përputhje me to.

  1. PROPOZIME TË TJERA PËR NDRYSHIME NË TVSH NË PROCES KONSULTIMI.

Përveç ndryshimeve të miratuara me Vendimin nr. 822, vijojnë të jenë në proces konsultimi edhe propozimet për:

– Rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%.

– Aplikimin e normës 6% për 54 produkte bazë ushqimore.

– Rritjen e TVSH-së për shërbimet e akomodimit turistik nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit.

Këto ndryshime nuk janë miratuar ende përfundimisht dhe mund të pësojnë ndryshime gjatë procesit të shqyrtimit legjislativ.

Hyrja në fuqi: Vendimi eshte botuar ne fletoren zyrtere me date 29.10.2026 dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2027.