Në Fletoren Zyrtare Nr. 190, datë 02.11.2020, është publikuar Vendimi nr. 836, datë 28.10.2020, “Për Përcaktimin e Kritereve të Dokumentacionit e të Procedurës për Pajisjen, Ripërtëritjen, Refuzimin dhe Anullimin e Lejes së Punës për Shërbime Kontraktuese të Tipit “C/SHK”, si dhe të Tarifës Shtetërore për Lëshimin e kësaj Lejeje Pune”.
Kjo leje pune i referohet shtetasve të Huaj, të cilët vijnë në RSH dhe kryejnë Shërbime Kontraktuese.
I huaji pajiset me leje pune të tipit “C/SHK”, për një periudhë për një kohëzgjatje jo më shumë se 90 (nëntëdhjetë) ditë brenda një viti kalendarik, nëse ai plotëson disa kritere si:
Kryerja e veprimtarisë ose ofrimi i shërbimeve bazuar në një kontratë;
Duhet të jenë të angazhuar në ofrimin e një shërbimi në një bazë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë;
Duhet të kenë të paktën dy vjet eksperiencë në fushën e veçantë, objekt i kontratës së shërbimit;
Ka një kontratë të rregullt pune për shërbime kontraktuese me punëdhënësin etj.
I Huaji rezervon të drejtën e ripërtëritjes së lejes së punës, nëse plotëson kriteret e mëposhtme:
Kur lidhet kontrata për më shumë se një vit, leja ripërtërihet në bazë një vjecare;
Kur ka një kontratë të rregullt pune jo më shumë se 90 ditë për vitin në vazhdim;
Kur nuk ka kryer shkelje të legjislacionit të punës në vitin pararendës, etj.
Aplikimi realizohet nga subjekti ose përfaqësuesi i tij, nëpërmjet shërbimit elektronik të portalit e-albania dhe më pas me depozitimin e dokumentacionit përkatës pranë Agjensisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA). Për ripërtëritjen e lejes së punës, kërkesa duhet paraqitur brenda 30 ditëve para përfundimit të lejes paraardhëse.
Kostot për aplikimin për herë të parë me leje pune të tipit “C/SHK”, është 4000 lekësh, ndërsa për rinovimin e lejes është 2000 lekësh.
Nëse të huajit i refuzohet leja e punës ka të drejtën e ankimimit.