Në Fletoren Zyrtare Nr. 190, datë 02.11.2020, është publikuar:

Udhëzimi i Përbashkët nr. 4620, datë 14.10.2020, “Për mënyrën e ekzekutimit të kundravajtjes administrative për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës), nëpërmjet Operatorit Të Sistemit Të Shpërndarjes Së Energjisë Elektrike (OSHEE)”.

Ky udhëzim njofton mënyrën sesi do të paguhet kjo gjobë, për të cilën gjeni informacionin si më poshtë vijon:

Institucionet përgjegjëse për vendosjen e gjobës ndaj individëve të cilët nuk vendosin barrierën mbrojtëse (maskën) janë Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake. Për individin e ndaluar nga këto autoritete, mbahet procesverbali i gjobës, i cili përmban të dhënat bazë në lidhje me emrin, mbiemrin, atësinë, nr. e kartës së identifikimit, si dhe adresën e banimit të individit.

Kjo gjobë do i bashkangjitet faturës së energjisë elektrike të muajit respektiv.

Gjoba do të jetë titull ekzekutiv dhe nuk do mund të paguhet pjesërisht ose e shkëputur nga fatura e energjisë elektrike. Pagesa jashtë afatave do të shoqërohet me kamatvonesat përkatëse në përputhje me kontratën e energjisë elektrike. Mospagesa e gjobës si pjesë përbërëse e faturës do të klasifikojë individin si debitor ndaj FSHU-së dhe   kontrata   përkatëse e energjisë elektrike do të dërgohet për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Pagesat mund të bëhen pranë të gjitha zyrave përkatëse të përcaktuara nga FSHU-ja, pranë Postës Shqiptare dhe pranë cdo institucioni financiar ku paguhet fatura e energjisë elektrike.