Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në vendimin nr. 00-2024-3798(396), datë 03.10.2024 thekson se, në përputhje me nenin 58 të ligjit nr. 49/2012 “Për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është marrë në shkelje të normave procedurale. Ky vendim nuk është bazuar në një hetim të plotë dhe të gjithëanshëm, duke mos shqyrtuar të gjitha provat dhe argumentet e palëve për të marrë një vendim të drejtë.
Në lidhje me çështjen e kontratave publike dhe prokurimit, Kolegji Administrativ nënvizon se ligji nr. 9643/2006 “Për prokurimin publik” parashikon procedura dhe kritere strikte që duhet të ndjekin autoritetet kontraktuese kur lidhen kontrata me operatorët ekonomikë.
KAGJL vlerëson se marrëveshjet administrative janë kontrata të formalizuara me shkrim dhe nuk mund të krijohen as me veprime konkludente, as me lëshim faturash me TVSH. Kur palët shprehin pretendime për realizimin e detyrimit kontraktual nga kontratat administrative, gjykata është e detyruar të realizojë një hetim të plotë dhe të thelluar mbi kontratën administrative (kontratën e bashkëpunimit/partneritetit), për të përcaktuar se cilës palë kontraktore i takon e drejta për të kërkuar përmbushjen e këtij detyrimi. Kontratat administrative të prokurimit duhet të respektojnë normat ligjore për prokurimet publike, që ato të jenë të ligjshme dhe të vlefshme. Respektimi i formës është një kërkesë për vlefshmërinë e kontratës dhe çdo shkelje e saj çon në pavlefshmërinë absolute të kontratës administrative