Paditësi Gj.G., pedagog universitar dhe autor i një libri, botuar në vitin 2002 nga një shtëpi botuese pretendon se i padituri Q.L., gjithashtu pedagog në të njëjtën fushë, ka botuar në vitin 2006 një cikël leksionesh me të njëjtin titull, me përmbajtje të ngjashme me librin e tij, duke cënuar të drejtën e autorit. Libri i Q.L. është botuar nga një shoqëri dhe është shpërndarë ndër studentët për vite me radhë pa autorizim. Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit, e përfshirë në gjykim si person i tretë, ka konstatuar ekzistencën e cenimit të të drejtës së autorit. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë pranoi pjesërisht padinë, duke detyruar të paditurin Q.L. të paguajë shumën 52,020 lekë si dëm pasuror në favor të paditësit Gj.G., ndërsa rrëzoi kërkesën për dëm moral dhe bashkëfajësi të paditurve të tjerë. Gjykata konstatoi se ekzistonte një cënim i së drejtës së autorit, në përputhje me nenin 7 të ligjit nr. 9380/2005, pasi vepra e botuar nga i padituri ishte një kopje me ndryshime të vogla e librit të paditësit. Në interpretimin e saj, gjykata theksoi se autori ka të drejtë shpërblimi për çdo shfrytëzim të veprës, edhe nëse nuk është botuesi i saj. Dëmi pasuror u përllogarit në bazë të fitimit të realizuar nga përdorimi i veprës. Kërkesa për dëm moral u rrëzua pasi nuk u provua cenimi i nderit apo personalitetit të paditësit, ndërsa padia u konsiderua se nuk ishte parashkruar, pasi ishte paraqitur brenda afatit trevjeçar. Gjykata e Apelit Tiranë vendosi prishjen e vendimit dhe kthimin për rigjykim, duke vlerësuar se hetimi nuk kishte qenë i plotë dhe se nuk ishte formuar drejt ndërgjyqësia, pasi mungonte thirrja e e shtëpisë botuese si palë e tretë. Gjykata gjithashtu evidentoi mungesën e ekspertizës profesionale për të drejtën e autorit, siç parashikohet në aktet nënligjore përkatëse.
Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit, duke argumentuar se ai nuk bazohej në ndonjë shkak pavlefshmërie sipas nenit 467 të Kodit të Procedurës Civile. Ajo vlerësoi se gjykata e apelit kishte kompetencë të plotë për shqyrtimin në themel të çështjes dhe se kthimi për rigjykim nuk justifikohej, përderisa provat nuk ishin të vështira për t’u administruar. Gjykata theksoi se ndërgjyqësia me shtëpinë botuese nuk ishte e detyrueshme dhe mungesa e saj nuk përbën shkak pavlefshmërie. Po ashtu, ajo rikonfirmoi të drejtën e autorit si të drejtë personale e paditësit, e ushtrueshme edhe në mungesë të botuesit. Çështja u kthye për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me trup tjetër gjykues.


