Rrethanat e çështjes

Gjykata e Lartë ka në shqyrtim çështjen me objekt kërkim trashëgimie, ku sipas rrethanave rezulton se një trashëgimlënëse ka disponuar pasurinë e saj me testament, duke caktuar si trashëgimtar të vetëm nipin e bashkëshortit të saj. Trashëgimtarja e vetme ligjore e trashëgimlënëses, duke mos qenë dakord me këtë disponim, i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë me pretendimin se testamenti është në kundërshtim me nenin 377 të Kodit Civil (KC). Po kështu, edhe Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm (Gjykata e Apelit Vlorë) ka në shqyrtim një tjetër çështje me objekt konstatimin pjesërisht të pavlefshmërisë absolute të testamentit të një shtetasi, i cili ka caktuar si trashëgimtarë bashkëjetuesen dhe djalin e tij të mitur, duke identifikuar nenin 377 të KC-së si dispozitë të zbatueshme për zgjidhjen e çështjes në lidhje me nenin 406 të KC-së, sipas të cilit disponimi tej radhëve të trashëgimtarëve të parashikuar në nenin 377 të po këtij kodi është absolutisht i pavlefshëm.

Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm (Gjykata e Apelit Vlorë) kanë vlerësuar papajtueshmëri të nenit 377 të KC më Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke vendosur pezullimin e gjykimeve dhe dërgimin e çështjeve në Gjykatën Kushtetuese (GJK). Kjo e fundit ka vendosur bashkimin e tyre në një çështje të vetme.

Neni 377 i KC parashikon se: trashëgimlënësi që nuk lë të paslindur ose të paralindur, ose vëllezër apo motra ka të drejtë të disponojë me testament pasurinë e vet, në favor të çdo personi fizik apo juridik”.

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese

Lidhur me legjitimimin e gjykatave referuese

GJK vlerëson se çështja e legjitimimit të subjekteve që mund t’i drejtohen gjykatës vlerësohet si një ndër aspektet kryesore që mundëson nisjen e procesit kushtetues. Gjykata që vë në lëvizje kontrollin incidental të kushtetutshmërisë së normës ligjore, të parashikuar në nenin 145 (2) të Kushtetutës dhe nenin

68 të ligjit nr. 8577/2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” duhet të plotësojë disa kritere kumulative:

a) të ketë identifikuar ligjin që do të zbatohet për zgjidhjen e çështjes dhe të ketë krijuar bindjen se gjykimi i saj nuk mund të përfundojë në mënyrë të pavarur nga çështja në GJK – pra lidhjen e drejtpërdrejtë midis ligjit dhe çështjes kushtetuese; b) të ketë parashtruar arsye bindëse për antikushtetutshmërinë e ligjit, duke referuar në normat ose parimet konkrete të Kushtetutës; c) të ketë bërë të gjitha përpjekjet për ta interpretuar atë në përputhje me Kushtetutën.

GJK vlerëson se gjykatat referuese kanë përmbushur kriteret e mësipërme.

Lidhur me themelin e pretendimeve

GJK konstaton se disponimi me testament ka për qëllim të sigurojë transferimin e të drejtës së pronësisë sipas vullnetit të lirë të trashëgimlënësit, edhe pas vdekjes së tij. Megjithatë, kjo e drejtë nuk është e pakufizuar, për rrjedhojë, mbetet detyrë e ligjvënësit të ndërhyjë për të bërë rregullimet përkatëse.

Sipas nenit 372 të KC-së, parimisht, trashëgimlënësi është i lirë të disponojë pasurinë e tij pas vdekjes, ndërkohë që neni 377 i KC-së përcakton se trashëgimlënësi mund të disponojë në favor të cilitdo prej trashëgimtarëve ligjorë, por vetëm brenda tre radhëve të para të trashëgimisë ligjore dhe vetëm nëse mungojnë trashëgimtarët e tre radhëve të para, trashëgimlënësi mund t’ia lërë me testament pasurinë e tij kujtdo prej trashëgimtarëve të radhëve të tjera, e po kështu edhe jashtë rrethit të trashëgimtarëve ligjorë. Përkundër kësaj, neni 360 i KC-së, i cili rregullon trashëgiminë me ligj, përcakton si trashëgimtarë ligjorë të afërmit deri në shkallën e gjashtë, sipas radhës së caktuar në dispozitat vijuese.

Në këtë situatë, GJK vlerëson se neni 377 i KC përbën kufizim në të drejtën e trashëgimlënësit për të disponuar pronën e tij lirisht pas vdekjes, jo vetëm te personat jashtë rrethit të trashëgimtarëve ligjorë, por edhe brenda këtyre të fundit. Si rrjedhojë, GJK ka vlerësuar nëse ky kufizim i përgjigjet kritereve të nenit 17 të Kushtetutës (testi i proporcionalitetit).

për kriterin e kufizimit me ligj

GJK vlerëson se, duke qenë se kufizimi parashikohet nga përmbajtja e nenit 377 të KC-së, referuar nenit 17 të Kushtetutës, ky kriter rezulton të jetë respektuar, si në aspektin formal, ashtu edhe substancial.

për kriterin e ekzistencës së interesit publik

GJK vlerëson se interesi publik duhet kuptuar në sensin relativ, në varësi të situatave të ndryshme që krijohen dhe për çdo rast konkret, pasi ky koncept është mjaft i gjerë.

Gjykata konstaton se kufizimet e të drejtës së pronës në drejtim të lirisë së disponimit me testament, të përcaktuara nga neni 377 i KC-së, synojnë të mbrojnë rrethin e ngushtë familjar dhe kanë për qëllim të garantojnë rendin juridik dhe stabilitetin e marrëdhënieve juridike në shoqëri. Si rrjedhojë, ndërhyrja në mënyrën e disponimit të së drejtës së pronës private të testatorit i përgjigjet interesit publik, prandaj përmbushet edhe kriteri i dytë i parashikuar nga neni 17 i Kushtetutës.

për kriterin e proporcionalitetit (përpjesëtimi i

drejtë midis ndërhyrjes dhe gjendjes që e dikton atë)

GJK ka evidentuar se për vlerësimin e proporcionalitetit duhen mbajtur në konsideratë disa kritere: (i) nëse objektivi i ligjvënësit është mjaftueshmërisht i rëndësishëm për të justifikuar kufizimin e të drejtës; (ii) nëse masat e marra janë të lidhura në mënyrë të arsyeshme me objektivin, ato nuk mund të jenë arbitrare, të padrejta ose të bazuara mbi vlerësime alogjike; (iii) nëse mjetet e përdorura nuk janë më të ashpra se sa duhet për të arritur objektivin e kërkuar.

Proporcionaliteti i një kufizimi vlerësohet rast pas rasti, duke pasur parasysh që kriteret e mësipërme të analizohen të gërshetuara me njëra-tjetrën.

Gjykata vëren se rregullat e nenit 377 dhe 379 të KC- së, të lexuara së bashku, sjellin kufizimin e disponimit të pasurisë me testament në dy drejtime: i) testamenti nuk duhet të cenojë rezervën ligjore (neni 379); ii) testatori mund të disponojë në favor të cilitdo prej trashëgimtarëve ligjorë, por vetëm brenda tre radhëve të para të trashëgimisë ligjore dhe në këtë rast, vetëm nëse mungojnë trashëgimtarët e tri radhëve të para, ai mund t’ia lërë me testament pasurinë e tij kujtdo prej trashëgimtarëve të radhëve të tjera, e po kështu edhe jashtë rrethit të trashëgimtarëve ligjorë (neni 377).

GJK vlerëson se neni 377 nuk i përgjigjet zhvillimeve ekonomike e kulturore, të ndodhura pas hyrjes në fuqi të KC (1994). Koncepti tradicional i familjes, i cili përfshin martesën, është zgjeruar, duke pranuar edhe marrëdhëniet de facto (bashkëjetesën). Në këtë kuptim, GJK vlerëson se objektivi i ligjvënësit dhe masat e marra për këtë qëllim në kohën e hyrjes në fuqi të KC- së (1994) nuk mund të jenë të njëjta edhe në ditët e sotme.

Gjykata thekson se në parim vjetrimi i normës nuk përbën per se shkak për antikushtetutshmërinë e saj, përveçse në rastin kur ajo nuk i përgjigjet zhvillimit social, kulturor, ekonomik dhe moral të shoqërisë në atë masë që nuk respekton thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Bazuar në sa më lart, Gjykata konstaton se ligjvënësi edhe pse e ka përfshirë bashkëshortin/en pasjetues/e në nenin 361 të KC-së si trashëgimtar ligjor të radhës së parë, nuk e ka përfshirë atë në rrethin e trashëgimtarëve testamentarë.

Gjykata vlerëson se bashkëshorti pasjetues duhet të ketë një vend në rrethin e trashëgimtarëve testamentarë të barabartë me atë të fëmijëve. Si rrjedhojë, dispozita e kundërshtuar, duke mos parashikuar bashkëshortin pasjetues si trashëgimtar testamentar, vendos kufizim për sa i përket rrethit të trashëgimtarëve testamentarë, si dhe nuk garanton disponimin lirisht sipas vullnetit të trashëgimlënësit në asnjë pjesë të pasurisë së tij.

Gjykata vlerëson se mungesa e këtyre parashikimeve konsiderohet e padrejtë dhe e bazuar mbi vlerësime alogjike. Kufizimi, edhe pse i përgjigjet interesit publik, nuk është proporcional sipas kritereve të vendosura nga neni 17 i Kushtetutës. Për rrjedhojë, dispozita përmban një boshllëk ligjor që sjell pasoja negative për të drejtat e trashëgimlënësit, duke cenuar në mënyrë joproporcionale të drejtën e tij për të disponuar pasurinë mortis causa.

Në përputhje me arsyetimin e GJK-së, Kuvendi i Shqipërisë detyrohet që, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e vendimit, të plotësojë boshllëkun ligjor.

Burimi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nr. 69 datë

27.12.2023