Në lidhje me zhvillimin e praktikës gjyqësore mbi vendimin unifikues nr.7/2011, Kolegjet e Bashkuara kanë përcaktuar këto rregulla sjellje:
1. Për çështjen e parë, që lidhet me detyrimin e gjykatës për të shqyrtuar masat alternative përpara caktimit ose vijimit të masës “arrest në burg”, përcaktojnë se:
“[…]gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat e tjera më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i shprehur, i individualizuar dhe i mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, duke pasqyruar qartë rrezikun konkret, sipas nenit 228, pika 3, të KPP, si dhe domosdoshmërinë, përshtatshmërinë dhe proporcionalitetin e kufizimit të lirisë, në përputhje me standardet kushtetuese dhe konventore.”.
2. Për çështjen e dytë, që lidhet me mënyrën e vlerësimit të rrezikshmërisë së veprës dhe të autorit në raport me masën “arrest në burg”, përcaktojnë:
“Caktimi i masës arrest në burg ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Në caktimin e masës arrest në burg, prokurori fillimisht dhe gjykatat në vijim, kanë detyrimin të japin një arsyetim të individualizuar, të mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, që lidh nevojën e kësaj mase me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit në rastin konkret. Ky vlerësim duhet të mbështetet në rrethanat specifike të faktit[…]”.
3. Për çështjen e tretë, që lidhet me barrën e justifikimit të nevojës për caktimin ose vijimin e masës “arrest në burg”, përcaktojnë:
“[…]barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit “arrest në burg” i takon prokurorisë, ndërsa gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë atë në çdo fazë të procedimit.”.


