I. Rrethanat e faktit
Paditësja është trashëgimtare universale e pasurisë së trashëgimlënësit, i cili kishte ndërtuar dhe regjistruar ligjërisht një objekt me sipërfaqe 71.2 m², ndërsa një ndërtim tjetër prej rreth 100 m² ishte në proces legalizimi. Pasuria u përfshi më pas në një plan rikualifikimi urban dhe, në kuadër të zbatimit të një lejeje ndërtimi për një objekt shumëkatësh, autoritetet vendore vendosën prishjen e objekteve ekzistuese, pavarësisht proceseve gjyqësore dhe administrative të zhvilluara ndër vite. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.8997, datë 09.11.2016, vendosi: «Pranimin pjesërisht të kërkesë-padisë. Detyrimin e palës së paditur, Bashkia Tiranë që të dëmshpërblejnë palën paditëse[…]». Kundër këtij vendimi, paraqiti ankim pala paditëse dhe pala e paditur. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1194, datë 09.05.2017, vendosi: «Lënien në fuqi të vendimit[…]». Kundër këtij vendimi palët paraqitën rekurs.
II. Vlerësimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë
Kolegji vlerësoi se gjykatat e faktit nuk kryen hetimin e plotë për dëmin pasuror të shkaktuar paditëses nga shpronësimi faktik i pronave. Në këtë rast nuk u respektuan as kriteret ligjore dhe as procedurat për shpronësim, ndërsa paditëses nuk i u njoh asnjë shpërblim, duke cënuar të drejtën e saj të pronësisë dhe të drejtën për kompensim dhe ankim në rrugë gjyqësore.
Instituti i shpronësimit përbën mjetin ligjor të humbjes së të drejtës së pronësisë private dhe është i zbatueshëm kundrejt një shpërblimi të drejtë. Realizimi i interesave publike nuk ligjëron apriori cënimin e të drejtës së pronës private në mënyrë të njëanëshme dhe abuzive nga shteti (neni 42 i Kushtetutës), si dhe nuk duhet të cenojë haptazi interesin e individit për tu shpërblyer në mënyrë të drejtë për pasurinë e shpronësuar (neni 41 i Kushtetutës).
Në jurisprudencën e GjK dhe të GJEDNJ, krahas shpronësimit formal të realizuar sipas ligjit, njihet edhe shpronësimi de facto. Shpronësimi de facto përbën një nga format e ndërhyrjes së shtetit për interesa publik në pronën private dhe ndryshon nga shpronësimi formal apo de jure në pjesën që nuk respektohen formalitetet e parashikuara nga ligji. Megjithatë, GJEDNJ, për qëllimet e zbatimit të nenit 1 Protokolli nr. 1 të KEDNJ ka pranuar se shteti, edhe në rastet e shpronësimeve de facto është i detyruar për të dëmshpërblyer pronarin e shpronësuar me vlerën ekuivalente të vlerës së pronës. Ekzistenca e interesit publik nuk mund të legjitimojë autoritetet publike të veprojnë për shkatërrimin ose uzurpimin e pronave private në arbitraritet.
Kolegji vlerëson se gjykatat nuk kanë analizuar nëse prishja e objekteve ka ndodhur për realizimin e një vepre ndërtimore me interes publik (neni 8 i ligjit nr.8561/1999) apo i ka shërbyer realizimit të një vepre ndërtimore në favor të një subjekti privat.
Në lidhje me pasurinë proces legalizimi, koncepti i pasurisë, sipas KEDNJ, shtrihet përtej të drejtës së pronësisë. Në kuptimin e “pasurisë”, si një koncept autonom i mbrojtur nga Konventa, jurisprudenca e Gjykatës ka vlerësuar së ky koncept ndërlidhet më së shumti dy kritere vlerësimi, së pari interesi ekonomik dhe së dyti pritshmëria e ligjshme për përvetësim në të ardhme.
Në përfundim, Kolegji vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë kësaj gjykate me një tjetër trup gjykues.


