Më datë 14.05.2026, Ministria e Financave miratoi Udhëzimin nr. 10, në zbatim të Ligjit nr. 84/2025 “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, duke përcaktuar procedurat e detajuara për aplikimin dhe lidhjen e marrëveshjes ndërmjet tatimpaguesve dhe administratës tatimore për vitin 2026.
Kush mund të aplikojë?
Të drejtën për të aplikuar e ka tatimpaguesi që ka dorëzuar deklaratën vjetore të Tatimit mbi Fitimin (TF) ose deklaratën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi (TAPB) dhe që gjatë vitit tatimor paraardhës ka realizuar të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë.
Aplikimi nga tatimpaguesi
Aplikimi:
- duhet të paraqitet brenda datës 31 mars të vitit për të cilin kërkohet lidhja e marrëveshjes;
- paraqitet nëpërmjet sistemit elektronik e-Filing, brenda afatit të sipërpërmendur.
Pas paraqitjes së aplikimit, sistemi krijon automatikisht dosjen përkatëse në e-Filing.
Aplikimi refuzohet automatikisht në rastet kur tatimpaguesi ka detyrime tatimore të papaguara ose të padeklaruara.
Hartimi i Marrëveshjes
Sistemi gjeneron automatikisht “Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, e cila përmban:
- fitimin e vlerësuar të tatueshëm (të rritur me 18% krahasuar me vitin paraardhës);
- normën tatimore të aplikueshme mbi fitimin e vlerësuar dhe çdo fitim shtesë;
- llogaritjen dhe shpërndarjen e kësteve paraprake gjatë vitit;
- të drejtën për të rishprehur pasqyrat financiare, nëse kjo kërkohet nga tatimpaguesi dhe plotësohen kushtet e përcaktuara në ligj.
Projektmarrëveshja nënshkruhet dhe vuloset elektronikisht nga drejtuesi i Drejtorisë Rajonale Tatimore (DRT) dhe i dërgohet tatimpaguesit brenda datës 10 prill të vitit për të cilin lidhet marrëveshja.
Kujdes! Marrëveshja përfundon në rast se:
- ndryshon aktiviteti ekonomik i tatimpaguesit;
- nuk realizohet rritja e kërkuar e fitimit prej të paktën 18%;
- aktiviteti pezullohet ose mbyllet;
- konstatohet përsëritje e shkeljeve tatimore, mospagim i detyrimeve të parashikuara në marrëveshje ose mosplotësim i kushteve për rishprehjen e pasqyrave financiare;
- fitimi rritet me më shumë se 50% krahasuar me vitin paraardhës;
- vetë tatimpaguesi kërkon përfundimin e marrëveshjes.


