FITIMI I SHTETËSISË SHQIPTARE
Ministria e Brendshme ka depozituar për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020, “Për shtetësinë””. Konsultimi publik është i hapur deri me datë 28.04.2023.
Ndryshimet janë propozuar në kuadër të ratifikimit të Konventës evropiane “Për shtetësinë”, si dhe në përgjigje të problematikave të identifikuara në praktikë gjatë zbatimit të ligjit nr. 113/2020, “Për shtetësinë”.
Referuar projektligjit, propozohet të shtohet fitimi i shtetësisë shqiptare nga një fëmijë i lindur në territorin shqiptar nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në Shqipëri, me kusht që të dy prindërit të japin pëlqimin.
Gjithashtu, propozohet të hiqet kriteri i njohjes së gjuhës shqipe dhe njohurive bazë të historisë së shtetit shqiptar në rastet kur kërkohet fitimi i shtetësisë shqiptare me natyralizim nga i huaji, fëmija i mitur i të cilit ka shtetësi shqiptare.
Propozimi i fundit në projektligj konsiston në një ndryshim për sa i përket rasteve të veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare. Sipas ndryshimeve të propozuara, shtetësia shqiptare, në rastet kur Shqipëria ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit, mund të fitohet nga çdo shtetas i huaj, pavarësisht moshës (në ligjin aktual përcaktohet se shtetasi i huaj duhet të ketë mbushur moshën 18 vjeç). Për të huajt nën 18 vjeç, projektligji propozon të përcaktojë se fitimi i shtetësisë shqiptare mund të fitohet vetëm nëse prindërit ose kujdestari ligjor japin pëlqimin.
A R S L E G A L & F I N A N C I A L S E R V I C E S