Për t’ju informuar me ndryshimet më të fundit në legjislacionin ligjor dhe financiar, ky alarm tatimor i përgatitur nga “A.R.S Legal & Financial Services” Ltd, ju ofron informata të vlefshme mbi publikimet më të fundit të legjislacionit shqiptar.

 

 

Në Fletoren Zyrtare Nr. 161, datë 09/09/2020 është botuar VKM Nr. 690, datë 2.9.2020 “Për përcaktimin e procedurave të zhvillimit të garës, kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “Kazino”, e procedura e shpalljes së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit të kësaj licence.

 

Ky vendim përcakton procedurat e zhvillimit të garës, kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “Kazino” e procedurën e shpalljes së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit të kësaj licence.

 

Organi kompetent për hapjen e garës për dhënien e licencës dhe lëshimin e saj për kategorinë “Kazino” është Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (këtu e më poshtë AMLF).

 

AMLF publikon njoftimin për hapjen e garës dhe adminsitron dokumentacionin e depozituar nga palët e interesuara. Kushtet bazë të nevojshme për të aplikuar për dhënien e licencës për kategorinë “Kazino” janë si më poshtë vijon:

 

  1. të jetë shoqëri aksionare, me seli në Republikën e Shqipërisë;
  2. të ketë në objektin e veprimtarisë së saj lojërat e fatit, sipas llojit të lojës që kërkohet si dhe të ketë eksperiencë në fushën e lojërave të fatit;
  3. shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1 200 000 000 (një miliard e dyqind milionë) lekë;
  4. të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e “Kazinosë”;
  5. të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese,organizative dhe besueshmërinë për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla;
  6. të paraqesë garancinë pasurore, së bashku me aplikimin dhe me kushtet e sekuestrimit tëkësaj garancie;
  7. të paraqesë kufizimet për ndryshimet e pronësisë së aksioneve për të licencuarit;
  8. të ngrejë serverin, në të cilin do të japë informacion të plotë mbi çdo transaksion që do të kryhet midis subjektit dhe lojtarëve, xhiron dhe fitimin, si dhe çdo të dhënë që do të kërkohet nga AMLF-ja në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti. AMLF-ja do të ketë akses në kohë reale te ky server.

 

Për të vërtetuar përmbushjen e kërkesave të përcaktuara më sipër, aplikanti duhet të paraqesë dokumente mbështetëse, sipas kërkesave ligjore të parashikuara në këtë vendim.

 

Përpos dokumentacionit shoqërues, subjekti i interesuar dorëzon edhe:

 

  1. dëshmi penaliteti (për aplikuesin/administratorin/aksionarin e shoqërisë); vërtetim se nuk janë në proces gjyqësor apo se nuk janë dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale fushën e krimit ekonomik, evazionit fiskaldhe/apo doganor, shpërdorim detyre, mitmarrje apo mitdhënie, vjedhje, trafik lëndësh narkotike apoarmësh, eksplozivësh, mospagim gjobash apo për vepra të tjera penale, që kompromentojnë personatnë nderin e personalitetin e tyre;
  2. një marrëveshje paraprake me një bankë të nivelit të dytë, me seli në R.SH tek e cila do të kryhen transfertat, arkëtimet, depozitimet;
  1. cdo informacion tjetër që cmohet i nevojshëm për t’u administruar nga Autoriteti i autorizuar.

 

Për sa më sipër, aplikuesi dorëzon një autorizim sipas të cilit lejon Autoritetin të kryejë verifikimet përkatëse të dokumentacionit/informacionit të depozituar. Në mungesë të këtij autorizimi, aplikimi refuzohet.

 

Krahas dokumentacionit bazë dhe dokumentacioneve shoqëruese, subjekti aplikues duhet të paraqesë dokumente për kapacitetet organizative dhe administrative, sikurse janë deklaratat për fuqinë punëtore, pajisjet teknike që do të përdoren në funksion të ushtrimit të veprimtarisë dhe që përmbushin standardet kombëtare apo ato të kërkuara nga Ligji Nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Autoriteti merr dosjen në shqyrtim brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e depozitimit të
dokumentacionit dhe njofton brenda këtij afati për pranimin ose refuzimin e aplikimit.

Në rast të pranimit të aplikimit, AMLF-ja informon subjektin për miratimin e kërkesës për licencim dhe i kërkon  të paguajë tarifën e licencimit sipas kategorisë (përcaktuar në Udhëzimin e Ministrit të Financave “Për mënyrën dhe afatet për kryerjen e pagesës së tarifës së licencimit për secilën kategori të lojërave të fatit” si dhe  të bëjë ngurtësimin e fondit të garancisë për fituesin e lojërave të fatit e të fondit të garancisë për shlyerjen e detyrimeve periodike ndaj institucioneve shtetërore.

Mosplotësimi i këtyre dy kërkesave passjell pezullim dhe/ose heqje të licencës.

 

***

Me VKM Nr. 689, datë 2.9.2020, publikuar ne Fletoren Zyrtare Nr. 161, datë 08/09/2020 është përcaktuar zona (në qytetin e Tiranës) ku mund të vendosen lojërat e fatit, kategoria “KAZINO”.  Subjektet e interesuara të licencuara lejohet të zhvillojnë këtë veprimtari brenda kufizimeve të rrugëve, si më poshtë vijon:

 “Rruga: “Barrikadave”; Rruga: “Urani Pano”; Rruga: “Dedë Gjon Luli”; Rruga: “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi: “Zhan D’Ark”, Rruga: “Xhorxh W. Bush”.

 

***

Në Fletoren Zyrtare Nr.171, datë 24/09/2020 është botuar Udhëzimi Nr. 36, datë 21.9.2020 “Për një ndryshim në Udhëzimin Nr. 5, datë 30.1.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, i cili parashikon një ndryshim në pikën 5.7 të Udhëzimit dhe konkretisht “Çdo  zvogëlim  kapitali,  që  nuk  ka  për  qëllim  zvogëlimin  e  humbjeve  dhe  që  destinohet  për  shpërndarje ortakëve, do të konsiderohet divident dhe do të tatohet si i tillë .. “duke zëvendësuar parashikimin e mëparshëm ku citohet “Çdo zvogëlim kapitali, që nuk ka për qëllim zvogëlimin e humbjeve, do të konsiderohet divident i tatueshëm dhe do të tatohet me 15% …”.