DREJTUAR TË GJITHË TË INTERESUARVE …
“A. R. S Legal & Financial Services” shpk, ka përgatitur këtë përmbledhje duke uruar të qartësojë për të gjithë të interesuarit dhe subjektet e prekura, përmbajtjen e ligjit Nr. 112/2020 “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”.
Kuptimi i termave:
“Pronar përfitues”– individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit subjektin dhe/ose individi në emër të të cilit po kryhet një transaksion ose veprimtari dhe përfshin të paktën:
- Individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të një përqindje të mjaftueshme të aksioneve ose të drejtave të votimit ose të pjesëmarrjes në kapitalin e atij entiteti, përfshirë përmes mbajtjes së aksioneve, ose përmes kontrollit nëpërmjet mjeteve të tjera, ose përfiton nga transaksionet e kryera nga personi juridik në emër të tij
- Themeluesi ose përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatave jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse
“Subjekt raportues” – personi juridik i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, që ka detyrimin ligjor të regjistrojë pronarët përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.
“Subjekt i detyruar” – subjektet që i nënshtrohen ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.
“Pronësi direkte” – pronësia e mbajtur nga një individ prej 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.
“Pronësi indirekte” – pronësia e mbajtur ose kontroll i ushtruar nga i njëjti individ në një ose më shumë persona juridikë, të cilët veçmas ose së bashku zotërojnë 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues;
“Regjistri i Pronarëve Përfitues” – një bazë të dhënash elektronike shtetërore, në të cilin regjistrohen të dhënat e pronarëve përfitues të subjekteve që kanë detyrimin e raportimit të tyre, që mbledh në kohë reale të dhënat e regjistruara në regjistrat respektivë shtetërorë të administruara nga institucionet shtetërore përkatëse, si dhe shërben si arkiv elektronik zyrtar dhe siguron transparencën në fushën e pronarëve përfitues.
SUBJEKTET RAPORTUESE QË PREK KY LIGJ:
a) shoqëritë më përgjegjësi të kufizuar;
b) shoqëritë aksionare;
c) shoqëritë kolektive;
d) shoqëritë komandite;
e) zyrat e përfaqësimit dhe degët e shoqërive të huaja;
f) shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre;
g) shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë;
h) shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor;
i) çdo subjekt tjetër juridik, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së;
j) organizatat jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse të huaja, të regjistruara në regjistrin e organizatave jofitimprurëse në Republikën e Shqipërisë;
k) personat juridikë dhe ndërmarrjet, aksionarët e të cilëve, përveç institucioneve qendrore dhe/ose vendore të Republikës së Shqipërisë, janë edhe individë/persona juridikë të tjerë shqiptarë dhe/ose të huaj.
INSTITUCIONI PËRGJEGJËS PËR ADMINISTRIMIN E REGJISTRIT është Qendra Kombëtare e Biznesit.
TË DHËNAT QË RAPORTOHEN NË QKB PREJ SUBJEKTIT RAPORTUES:
I. Të dhënat e identifikimit
a) për shtetasit shqiptarë
– emri dhe mbiemri;
– numri i identifikimit personal;
– datëlindja;
– shtetësia;
– adresa e rezidencës së përhershme;
b) për shtetasit e huaj
– emri dhe mbiemri;
– numri i identifikimit personal;
– datëlindja;
– numri i pasaportës dhe shteti lëshues;
– data e lëshimit dhe data e skadimit të pasaportës;
– shtetësia;
– adresa e rezidencës së përhershme;
c) për refugjatët/personat pa shtetësi
– emri dhe mbiemri;
– numri i dokumentit të udhëtimit;
– datëlindja;
– shteti që ka lëshuar dokumentin e udhëtimit;
– data e lëshimit dhe data e skadimit e dokumentit të udhëtimit.
II. Data e përcaktimit të individit si pronar përfitues.
III. Lloji dhe përqindja e pronësisë:
- Direkte;
- Indirekte
SUBJEKTET QË LEGJITIMOHEN TË REALIZOJNË REGJISTRIMIN FILLESTAR TË TË DHËNAVE DHE PËRDITËSIMIN E TYRE
Regjistrimi fillestar i të dhënave realizohet nga personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues.
Përditësimi apo ndryshimi i të dhënave të regjistruara në regjistër bëhet nga:
a) personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues;
b) Qendra Kombëtare e Biznesit, bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet shtetërore kompetente, në rastet kur të dhënat e regjistruara në regjistër nuk përputhen me të dhënat në posedim të autoriteteve kompetente shtetërore.
AFATI PËR REALIZIMIN E REGJISTRIMIT
- brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese, në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues;
- brenda 30 ditëve nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik, në rastin e regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese;
- Subjektet raportuese ekzistuese duhet të regjistrojnë të dhënat e kërkuara nga ky ligj për pronarët e tyre përfitues jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i regjistrit.
KONSTATIMI I MOSPËRPUTHJEVE NË TË DHËNA dhe PROCEDURA E RREGULLIMIT
- subjekti i detyruar njofton subjektin raportues dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit;
- me marrjen e njoftimit QKB brenda 2 ditëve pune publikon njoftimin në regjistër, si dhe njofton në mënyrë shkresore subjektin raportues për konstatimin e njoftuar nga subjekti i detyruar;
- subjekti raportues brenda 20 ditëve kalendarike nga data e njoftimit të Qendrës Kombëtare
të Biznesit duhet:
1. të përditësojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues, sipas këtij ligji, nëse konstatimi i subjektit të detyruar është i saktë, ose;
2. të konfirmojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues, të regjistruara më parë, nëse konstatimi i subjektit të detyruar nuk është i saktë;
PENALITETE
- në rast se subjekti raportues nuk përditëson ose nuk konfirmon të dhënat për pronarët e tyre përfitues brenda 20 ditëve kalendarike nga data e njoftimit të QKB së, QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse do të ndërpresin shërbimet e tyre për subjektet raportuese deri në:
- përditësimin e të dhënave për pronarët e tyre përfitues në regjistër dhe pagimin e gjobës në rast se ky mospërditësim përbën edhe kundërvajtje administrative sipas nenit 13; ose
- konfirmimin në regjistër të të dhënave për pronarët e tyre përfitues, të regjistruara më parë në regjistër
TË DHËNAT QË BËHEN PUBLIKE
Të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, të cilat do të jenë lirisht të aksesueshme dhe publike janë:
a) emri dhe mbiemri i pronarit përfitues;
b) shtetësia;
c) viti dhe muaji i lindjes;
d) data e përcaktimit të individit si pronar përfitues;
e) lloji dhe përqindja e pronësisë:
- direkte
- indirekte
TËRHEQJA E EKSTRAKTIT
Për tërheqjen e ekstrakteve nga Regjistri i Pronarëve Përfitues, cdo person i interesuar duhet t’i drejtohet QKB së me Kërkesë me Shkrim dhe brenda 5 ditëve QKB lëshon ekstraktin brenda 5 ditëve.
TË DREJTAT E PRONARIT PËRFITUES TË REGJISTRUAR
Padi kundër subjektit raportues në gjykatën kompetente, me qëllim vërtetimin se nuk është pronari përfitues i këtij subjekti.
ANKIMI ADMINISTRATIV/ AFATET E ANKIMIT
- Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative ndaj veprimeve apo mosveprimeve të QKB-së për regjistrimet dhe publikimet. Ankimi bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e publikimit në Regjistër të vendimit për pranimin apo refuzimin e regjistrimit;
- Çdo person i interesuar ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative kur QKB-ja nuk jep informacionin. Afati prej 30 ditësh kalendarike për paraqitjen e ankimit fillon pas 10 ditëve pune nga data e depozitimit të kërkesës për dhënien e informacionit.
- Çdo person i interesuar ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative kur QKB-ja nuk lëshon ekstraktet. Ankimi administrativ paraqitet jo më parë se 7 ditë kalendarike dhe jo më vonë se 45 ditë kalendarike nga data e përfundimit të afatit të caktuar sipas parashikimeve të këtij ligji për lëshimin e ekstraktit.
Ndaj vendimit të dhënë pas shqyrtimit të ankimit administrativ apo mosveprimit mund të bëhet ankim drejtpërdrejt në gjykatën kompetente administrative sipas Kodit të Procedurave Administrativ
ORGANI KOMPETENT PËR ANKIMIN ADMINISTRATIV është Titullari i QKB-së.
FORMA E ANKIMIT bëhet sipas formave e procedurave të përcaktuara nga Kodi i Procedurave Administrative.
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
1. Subjektet raportuese dhe personat e autorizuar për të bërë regjistrimin janë përgjegjës sipas
ligjeve në fuqi për vërtetësinë e fakteve, të të dhënave të njoftuara dhe të dokumenteve
shoqëruese, të depozituara në regjistrin elektronik.
a) mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij (brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese, në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues) dënohet me gjobë në vlerën 500 000 (pesëqindmijë) lekë;
b) mosregjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara dhe në dokumentet shoqëruese, që depozitohen në regjistër, (brenda 30 ditëve nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik, në rastin e regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese) dënohet me gjobë në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë;
c) mospërmbushja e detyrimit të subjekteve raportuese ekzistuese për regjistrimin e të dhënave të kërkuara nga ky ligj brenda (60 ditë kalendarike nga krijimi i regjistrit) dënohet me gjobë në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë.
3. Për shkeljet e mësipërme dënohet me gjobë prej 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh edhe përfaqësuesi ligjor i subjektit të regjistruar, person juridik.
4. Për subjektet, që kryejnë shkeljet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të sipërcituara, për më tepër se një herë, gjobat do të dyfishohen.
REGJISTRI I PRONARËVE PËRFITUES DO TË KRIJOHET ME 31.1.2021.