PROJEKTLIGJI PËR TVSH, AKCIZAT & TAKSAT KOMBËTARE
Gjatë muajit tetor 2023 është depozituar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar; si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar.
Projektligji propozon përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e (i) kafshëve të gjalla të racës së pastër për riprodhim (speciet: gjedhe, dhen, dhi, derra dhe njëthundrakë) dhe materialit biologjik që përdoret për inseminimin artificial, dhe (ii) të insekteve (bletë dhe të tjera). Propozimi synon të nxisë importin e këtyre produkteve me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë, zhvillimin e sektorit të bletarisë, stimulimin e prodhimit bio, si dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Projektligji propozohet në kuadër të paketës fiskale 2024 dhe ka parashikon indeksimin e tarifave të akcizës çdo dy vjet në masën e normës së inflacionit të shpallur nga INSTAT, por që nuk kalon 1.5%, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij (për të cilat aplikohet akcizë sipas një kalendari).
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar.
Projektligji propozon rritjen sipas një kalendari, të taksës së karbonit për qymyrin, si dhe përfshirjen në taksën e karbonit edhe të disa nënprodukteve dhe e formave të tjera të qymyrit. Propozimet vijnë në kuadër të angazhimeve të shtetit shqiptar për mbrojtjen e mjedisit dhe frenimin e ndryshimeve klimaterike. Taksa e karbonit caktohet në masën: 1,5 lekë për litër për benzinën; 3 lekë për litër për gazoilin; 3 lekë për litër për solarin; 3 lekë për litër për mazutin; 3 lekë për litër për vajgurin; 3 lekë për kilogram për koks nafte. Ndërsa, për qymyrin propozohet sipas kalendarit vijues: 3.5 lekë për kilogram për vitin 2024;
4.5 lekë për kilogram për vitin 2025; 6 lekë për kilogram për vitin 2026; 8 lekë për kilogram për vitin 2027; 10.3 lekë për kilogram për vitin 2028; 12.8 lekë për kilogram për vitin 2029; 15.3 lekë për kilogram për qymyrin për vitin 2030 dhe në vazhdim.
PROJEKTLIGJI PËR PROCEDURAT TATIMORE
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Projektligji propozon:
- përfshirjen në ligjin për procedurat tatimore të dispozitave për krijimin e kuadrit të nevojshëm ligjor për shkëmbimin e raporteve për çdo vend (country-by-country report) – në kuadër të zbatimit të projektit ndërkombëtar “BEPS”, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria që prej vitit 2019. Raporti për çdo vend, i cili përgatitet për grupet e shoqërive shumëkombëshe me të ardhura totale të konsoliduara të grupit me/mbi 105 miliardë lekë, dorëzohet nga entiteti që është rezident për qëllime tatimore në Republikën e Shqipërisë dhe që përgatit pasqyrat financiare të konsoliduara të grupit të shoqërive shumëkombëshe. Ky raport përmban të dhëna lidhur me aktivitetin ekonomik të grupit, siç janë: shuma e të ardhurave, fitimi (humbja) përpara tatimit mbi të ardhurat, tatimi i paguar mbi të ardhurat, tatimi i përllogaritur mbi të ardhurat, kapitali i deklaruar, fitimet e akumuluara, numri i punonjësve dhe asetet e prekshme, për çdo shtet/juridiksion në të cilin operon grupi i shoqërive shumëkombëshe.
- vendosjen e një afati brenda të cilit do të duhet të zbatohet vendimi i Drejtorisë së Apelimit Tatimor ose i Komisionit për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore, nga administrata tatimore;
- rregullimin e formës së llogaritjes së dënimit për mospagimin e kësteve të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale, në përputhje me parimin e proporcionalitetit, në bazë të të cilit dënimi duhet të jetë në përputhje me efektin që ka prodhuar në buxhetin e shtetit mospagimi në afat i detyrimit tatimor;
- vendosjen e dënimeve përkatëse lidhur me mosdërgimin në kohë të dokumentacionit për zbatimin e dispozitave të marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe raportit për çdo vend, në përputhje me dispozitat e ligjit;
- ruajtjen e proporcionalitetit të dënimeve në përputhje me shkeljen tatimore, lidhur me shkeljet për moslëshimin e faturave dhe të faturave shoqëruese, nga tatimpaguesi;
- përputhshmërinë e terminologjisë së përdorur në këtë ligj me terminologjinë e përdorur në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.