Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një problem i përhapur social, shëndetësor global, që kapërcen kufijtë dhe ndodh në të gjitha kulturat dhe shoqëritë anembanë botës, përfshirë dhe vendin tonë. Ky fenomen duke u shfaqur në forma të ndryshme, ndikon negativisht në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social të target grupeve të prekura.
Referuar statistikave të nxjerra nga vrojtimi kombëtar me bazë popullatën 2018 “Për Dhunë ndaj Grave dhe Vajzave në Shqipëri” publikuar nga INSTAT, *tregohet se 1 në 3 gra, ose 36,6% e grave përjetonin “aktualisht” dhunë.
Ligji Nr.9669, datë 18.12.2006 “Për Masa Ndaj Dhunës Në Marrëdhëniet Familjare” pësoi disa ndryshime në vitin 2018, ndryshime të cilat përmirësuan përkufizimin e dhunës në familje dhe përfshinë një mbrojtje më të mirë për gratë dhe fëmijët në situata të rrezikut të menjëhershëm përmes urdhërit të policisë për masa paraprake të mbrojtjes së menjëhershme; përgjegjësi të përcaktuara më mirë të institucioneve shtetërore që kanë përgjegjësi ligjore ndaj personave vulnerabël, përmirësimi i procedurave të sistemit gjyqësor dhe krijimi i qendrave të menaxhimit të krizës në shërbimin e urgjencës së spitalit për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, si dhe parashikoi mbrojtjen për personat që janë të përfshirë në marrëdhënie fizike dhe/ose emocionale me dhunuesit e tyre. Mirëpo krahas përforcimit të ligjit dhe parashikimeve në Kodin Penal dhe atë të Familjes, mbrojtja e këtyre kategorive duket se nuk u garantua në mënyrën më të mirë të mundshme, ndaj ligjvënësi së fundmi me ligjin Nr. 125/2020 Për Disa Shtesa Dhe Ndryshime Në Ligjin Nr. 9669, Datë 18.12.2006 “Për Masa Ndaj Dhunës Në Marrëdhëniet Familjare”, të ndryshuar, vendosi të legjitimojë një ndëshkueshmëri më të ashpër dhe të aplikojë disa garanci më tepër.
Së pari në kategorinë e personave të mbrojtur, përvec fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuar, i kushtohet vëmendje e vecantë garantimit të mbrojtjes për kategorinë e vajzave dhe grave.
Gjithashtu, sjell një ndryshim të konceptit të të dyshuarit apo të paditurit për ushtrimin e dhunës në familje, ku më parë bëhej një ndasi në varësi të gjinisë, ndërsa me ndryshimet e fundit referohet vetëm si “Dhunuesi”.
Organi komptent për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes ka qenë dhe vijon të mbetet Gjykata, mirëpo ndryshe nga më parë ku sanksioni ishte ndalimi i kryerjes apo kërcënimit për kryerjen e veprës së dhunës ndaj viktimës ose pjestarëve të tjerë të familjes, tani parashikohet një garanci më tepër për palën e dhunuar pasi Dhunuesi duhet të largohet menjëherë nga banesa për një afat kohor të caktuar. Kjo shihet si masa më drastike e ndërmarrë për të gjitha ato raste kur asnjë masë tjetër nuk e garanton mbrojtjen e viktimës nga dhunuesi, mirëpo jo gjithmonë gjen zbatim sepse ky largim i menjëhershëm nga banesa është i pamundur kur dhunuesi është i mitur, i moshuar, ose person me aftësi të kufizuara.
Ndëshkimi i këtyre rasteve, jo gjithmonë ka passjellë frenimin e këtij fenomeni në shoqërinë tonë ndaj, një masë tjetër e shtuar, është detyrimi i pjesëmarrjes së dhunuesit në programet psikosociale dhe programe të aftësimit prindëror të organizuara nga subjekte private dhe publike dhe nëse dhunuesi nuk merr pjesë në këto programe rehabilituese, ndaj tij do të zbatohen dispozitat e Kodit Penal për veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës për urdhërin e mbrojtjes.
Duke marrë shkas nga realiteti në të cilin po jetojmë por edhe për shkak të karakterit urgjent që kanë këto cështje, është parashikuar një delegim tagri nga Gjykata drejtuar titullarit të strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit për lëshimin e urdhërave për masat paraprake për mbrojtjen e menjëhershme, kur në të gjithë vendin janë vendosur masat e jashtëzakonshme.
Urdhërat e mbrojtjes janë një masë me karakter të përkohshëm dhe lëshimi i tyre i pa shoqëruar më një procedim penal të mëtejshëm ka rezultuar i pamjaftueshëm në mbrojtjen e integritetit të viktimës. Ligji parashikon se kur një kërkesë për urdhër mbrojtje paraqitet nga policia apo prokuroria në gjykatë, edhe nëse viktima e ndjerë i/e presionuar dëshiron ta tërheqë padinë ose ta ndërpresë procedimin penal, kjo nuk duhet të sjellë si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar. Shkaqet e tërheqjes së viktimave nga denoncimet apo proceset penale janë mëse të ditura, ndaj institucionet publike duhet të tregohen rigorozë në zbatimin e ligjit.
Roli i një sanksioni është ndëshkimi, frenimi dhe parandalimi i fenomenit, mirëpo këto masa shtrënguese nuk e arrijnë qëllimin e plotë nëse përkrah tyre nuk lobohet për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës, nuk mbështet figura e grave dhe vajzave, nuk iniciohen procese për ndëshkimin e abuzuesve apo nuk ndërmerren aktivitete që t’i ndihmojnë gratë për të krijuar pavarësinë e tyre sociale dhe ekonomike.
Është e drejta e cdokujt të jetojë jetën pa u ndjerë i cënuar për atë cfarë përfaqëson.
*http://www.instat.gov.al/media/6121/publikimi-dhuna-ndaj-grave-dhe-vajzave.pdf
Përgatiti
Juriste Sara Xhaferi