LEJA UNIKE PËR TË HUAJT
Ligji nr. 79/2022, “Për të huajt” prezantoi për herë të parë në Shqipëri lejet unike, të cilat lejojnë shtetasit e huaj të qëndrojnë ligjërisht në territorin shqiptar për qëllime pune.
Lejet unike klasifikohen në leje unike qëndrimi për motive pune:
- si punëmarrës
- jepet në përputhje me kohëzgjatjen e kontratës/ofertës së punës për një afat 3 muaj, 6 muaj ose 1 vit (me të drejtë ripërtëritje deri në 5 herë radhazi); 2 vjet (me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë); 5 vjet; e përhershme (kur i huaji qëndron në mënyrë të ligjshme për 5 vjet radhazi në Shqipëri dhe ka veprimtari të qëndrueshme në vend).
për punësim stinor
- jepet me afat deri në 6 muaj, për çdo vit kalendarik, për rajone, punëdhënës, profesione dhe kontratë punë, me afat kohor të përcaktuar;
- ripërtëritje e kontratës së punës me të njëjtin të huaj, me kusht që të ketë patur një ndërprerje të punës prej 6 muajsh;
- rregullimet e mësipërme nuk zbatohen për shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen, si dhe kur parashikohet ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare.
për të transferuar brenda ndërmarrjes
- lëshohet për qëllim të transferimit të përkohshëm brenda ndërmarrjes së një të huaji (në pozicionin e menaxherit ose specialistit);
- jepet për aq sa zgjat transferimi, por jo më shumë se tre vjet për menaxherët dhe specialistët, dhe jo më shumë se 1 vit për praktikantët.
punëtor ndërkufitar
- lëshohet për të huajin punëmarrës, punëdhënës ose të vetëpunësuar, me origjinë nga një vend fqinj me Republikën e Shqipërisë;
- huaji duhet të kthehet në vendbanimin e tij të përhershëm çdo ditë ose të paktën një ditë në javë, duke ruajtur vendbanimin dhe vendqëndrimin në vendin e origjinës.
për sportistë
- i jepet të huajit me profesion sportist mbi bazën e një kontrate me një punëdhënës / organizatë sportive, nëse për punësimin e tij është marrë federimi nga federata përkatëse sportive;
- leja unike mund të ripërtërihet nëse i huaji ka një kontratë pune si sportist, qoftë edhe me punëdhënës/organizatë të ndryshme nga ajo fillestare.
për shërbim vullnetar
- jepet me afat jo më shumë se 1 vit, herën e parë, vetëm kur aktiviteti I synuar është I lidhur ngushtësisht me skemën e shërbimit vullnetar, të njohur ligjërisht në Shqipëri;
- vlefshmëria e lejes së qëndrimit nuk mund të tejkalojë afatet e programit përkatës vullnetar për të cilin kërkohet të lëshohet leja e qëndrimit. Nëse kohëzgjatja e programit vullnetar është mbi 1 vit, leja e qëndrimit ripërtërihet.
për punonjës me kualifikim të lartë Karta Blu AL
- jepet për të huajin i cili ka marrë më parë miratimin e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive për punonjës të kualifikuar;
- lëshohet për një afat 2-vjeçar, me të drejtë
ripërtëritje.
për persona të vetëpunësuar
- jepet nëse (a) ka një interes ekonomik, (b) aktiviteti që do të kryhet pritet të ketë një ndikim pozitiv mbi ekonominë dhe (c) kur i huaji ka një kapital për të realizuar idenë e biznesit;
- periudha e vlefshmërisë së lejes unike si i vetëpunësuar është në përputhje me kohëzgjatjen e biznesit të planifikuar, por jo më shumë se 3 vjet, me të drejtë ripërtëritje.
për investitorë
- i lëshohet të huajit i cili (a) bën një investim me vlerë jo më pak se 10.000.000 (dhjetë milionë) lekë; (b) raporti i të punësuarve është 1 i huaj –
5 shqiptarë dhe ky raport të ruhet edhe në bordin drejtues dhe organet e tjera drejtuese ose kontrolluese; (c) paga është të paktën sa mesatarja e pagës së paguar në Republikën e Shqipërisë për këto poste të vitit pararendës; (d) kritere të tjera ligjore;
- jepet për një afat 2 vjeçar, me të drejtë
ripërtëritje.
për punonjës lëvizës digjital
- i jepet të huajit i cili ka një kontratë pune/shërbimi me punëdhënësin/porositësin jashtë shtetit;
- jepet për një afat deri në 1 vit, për herë të parë, kur shtetasi i huaj është me qëndrim të ligjshëm në Shqipëri.
për formim profesional
- i jepet të huajit për kryerjen e një kursi të formimit profesional në Republikën e Shqipërisë;
- jepet me vlefshmëri kohore të njëjtë me atë të veprimtarisë së formimit profesional.
për shërbime kontraktuese
- i lëshohet të huajit I cili nuk është i regjistruar për kryerjen e një aktiviteti dhe ka qëndrim të vazhdueshëm jashtë territorit shqiptar, për ofrimin e përkohshëm të shërbimeve kontraktuese vetëm në raste të justifikuara kur ofruesi i shërbimeve zotëron njohuri të veçanta, të cilat nuk mund të gjenden në ofertën e fuqisë punëtore vendase;
- leja unike mund të lëshohet disa herë brenda një viti kalendarik, por me një kohëzgjatje totale jo më shumë se 90 ditë, me të drejtë ripërtëritje.
leje unike për kategori të veçanta.
- Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit
- 12 javë nga data e aplikimit.
Kostot
- në varësi të tipit të aplikimit.
Për çdo pyetje apo informacion të mëtejshëm, na
kontaktoni në adresën: info@arsfirm.al