info@arsfirm.al Kontakti: +355692476387

Së fundmi në Fletoren Zyrtare të datës 29.7.2020, numër 174, është publikuar Ligji nr. 113/2020
“PËR SHTETËSINË”, i cili i shtrin efektet e tij që prej datës 14.10.2020.

Ky ligj ka shfuqizuar ligjin nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, i ndryshuar, vendimin nr. 554, datë 3.7.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin
e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës” dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj.

Ky ligj, në ndryshim nga ligji i mëparshëm nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, ka zgjeruar spektrin e mënyrave me anë të të cilave fitohet shtetësia shqiptare. Sipas ligjit në fuqi shtetësia shqiptare mund të fitohet me anë të lindjes, origjinës, lindjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, natyralizim dhe birësim.

Duke marrë në konsideratë Lëvizjen dhe Migrimin e familjeve dhe fëmijëve në Europë dhe jo vetëm, lëvizje e cila është  shoqëruar me një rritje të faktorëve të riskut dhe vulnerabilitetit ndaj problemeve të ndryshme, ligjbërësi shqiptar gjykoi të drejtë krijimin e një mundësie për t’i njohur të drejtën e fitimit të shtetësisë shqiptare këtij target grupi, në këmbim të plotësimit të disa kushteve, të parashikuara në nenin 11 të ligjit “Për Shtetësinë”.

Risi tjetër e këtij ligji është dhe parashikimi i heqjes dorë nga shtetësia. Ligjbërësi e ka kufizuar heqjen dorë përvec se me faktin që personi të mos mbetet pa shtetësi, por edhe me plotësimin e disa kushteve si: mosha madhore, rezidenca, mungesa e detyrimeve ligjore, pastërtia e figurës etj.

Shtetësia shqiptare përvec heqjes dorë prej saj me iniciativën e kërkuesit, tanimë mund të hiqet edhe ex- officio kur vërtetohet se shtetasi ka paraqitur dokumente të falsifikuara për fitimin e shtetësisë ose  përkrah, kryen veprimtari apo është anëtar i organizatave, aktiviteti i të cilave synon cenimin e sigurisë kombëtare dhe të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Për detajimin dhe hartimin e programeve të veçanta, përcaktimin e rregullave specifike të kontrollit të
veçantë të sigurisë dhe pastërtisë së figurës në standardet më të larta dhe monitorimin e zbatimit
të tyre, do të krijohet një agjenci shtetërore e posaçme në varësi të ministrit.

Ndërkohë që kriteret për fitimin e shtetësisë, sipas programeve të veçanta, procedurat e aplikimit, rregullat e kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme do të caktohen me akte nënligjore publikimi i të cilave pritet brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.