SAFAROV v. AZERBAIJAN
Në një vendim të datës 1 shtator 2022 [Safarov v. Azerbaijan], Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi se zbatimi i paligjshëm dhe arbitrar i ligjit për pronësinë intelektuale në mosmarrëveshjet ndërmjet individëve/palëve private përbën shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Z. Rafig Firuz oglu Safarov (Aplikanti) është autor i librit “Changes in the ethnic composition of the people of Irevan Governorate in the nineteenth and twentieth centuries”, i publikuar në kopje fizike në vitin 2009. Një vit më vonë, në 2010, Irali Public Union, një organizatë jofitimprurëse publikoi librin në format elektronik në website-n e saj.
Me kërkesë të Aplikantit, libri u hoq nga website, megjithatë, ai ishte shkarkuar 417 herë. Aplikanti pretendoi përpara gjykatave kombëtare të Azerbajxhanit shpërblim dëmi pasuror dhe jo pasuror për shkak se Irali Public Union kishte riprodhuar dhe publikuar një version elektronik të librit të tij pa autorizim, duke shkelur kështu ligjin kombëtar për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to.
Pas ezaurimit të instancave kombëtare, të cilat kishin rrëzuar pretendimet e ngritura, Aplikanti apeloi vendimin e Gjykatës së Lartë pranë GJEDNJ- së. Megjithëse Irali Public Union nuk kishte patur një interes ekonomik kur kishte publikuar librin online, Aplikanti argumentoi se e drejta e tij e autorit ishte shkelur dhe se Qeveria e Azerbajxhanit kishte shkelur Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së. Qeveria e Azerbajxhanit argumentoi se Irali Public Union e kishte publikuar librin vetëm për qëllime informimi, jo-tregtare dhe se Aplikanti nuk kishte demonstruar që kishte pësuar dëme.
GJEDNJ theksoi se:
- mbrojtja e të drejtave që rrjedhin nga pronësia intelektuale, përfshirë të drejtat e autorit, përfshihen në fushëzbatimin e Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së;
- në mosmarrëveshjet ndërmjet palëve private, shteti ka detyrimin pozitiv të mbrojë të drejtën e pronësisë (intelektuale)-(në rastin konkret, Aplikanti nuk pretendonte se të drejtat e autorit nuk mbroheshin mjaftueshëm nga ligji kombëtar, por zbatimi i ligjit ekzistues nga gjykatat kombëtare ishte i paligjshëm dhe arbitrar).
SAFAROV v. AZERBAIJAN
- gjykatat kombëtare rrëzuan pretendimet e Aplikantit bazuar në disa përjashtime ligjore të parashikuara në ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to, më konkretisht:
- riprodhimi (i pjesshëm) i veprave të publikuara për qëllime personale nga një person fizik është i lejuar, pa patur nevojë të merret pëlqimi i autorit apo që këtij të fundit t’i paguhet një shpërblim: në rastin konkret, Irali Public Union ishte një person juridik dhe nuk e kishte përdorur librin ekskluzivisht për qëllime personale, por e kishte publikuar për një numër të pacaktuar lexuesish.
- bibliotekat, arkivat dhe institucionet edukuese mund të riprodhojnë vepra pa autorizimin e autorit, në disa raste specifike: në rastin konkret, së pari, Gjykata e Lartë nuk shpjegonte pse website i Irali Public Union mund të konsiderohej ‘bibliotekë’ dhe së dyti, edhe nëse kjo e fundit do të ishte justifikuar, nuk argumentohej nëse Irali Public Union përfshihej në një prej kategorive për të cilat lejohet riprodhimi i veprës pa autorizim.
- aplikimi i rregullit për shterimin e të drejtës së shpërndarjes: ky rregull i referohet kopjeve fizike dhe në rastin konkret, autori nuk kishte autorizuar riprodhimin e librit në formë elektronike, por vetëm në kopje fizike. Rrjedhimisht, rregulli i shterimit nuk justifikonte riprodhimin e librit në një format të ri, elektronik apo publikimin online pa pëlqimin e autorit.
Në përfundim, GJEDNJ vendosi se gjykatat kombëtare kishin dështuar në argumentimin/justifikimin e vendimeve të tyre, si dhe në garantimin e mbrojtjes pozitive të kërkuar sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së. Megjithatë, GJEDNJ nuk i akordoi dëmshpërblimin e kërkuar nga Aplikanti, në vlerën 128,286 Euro, për dëm pasuror dhe jo pasuror, por një dëmshpërblim në vlerën 5000 Euro.
*Rregulli për shterimin e të drejtës së shpërndarjes nënkupton se me shitjen e të mirave (veprave) në një treg të caktuar nga vetë autori i veprës ose me pëlqimin e tij, ky i fundit nuk mund të ndalojë rishitjen e të mirave (veprave) nga të tjerët.