I. Rrethanat e faktit

Më 29 qershor 1995, Gjykata Federale Gjermane (Bundesgerichtshof) iu drejtua Gjykatës së Drejtësisë me një kërkesë për vendim paraprak lidhur me interpretimin e Nenit 4(1)(b) të Direktivës së Parë 89/104/KEE për markat tregtare. Pyetja u ngrit në kuadër të një mosmarrëveshjeje ndërmjet shoqërisë holandeze SABEL BV dhe shoqërisë gjermane Puma AG, Rudolf Dassler Sport, në lidhje me kërkesën për regjistrimin në Gjermani të markës IR 540 894 për mallra të klasës 18 (produkte lëkure dhe çanta) dhe klasës 25 (veshje, këpucë dhe kapele).Bundesgerichtshof kërkoi të sqarohej se çfarë rëndësie duhet t’i jepet përmbajtjes semantike të markave, në rastin konkret figurës së një “maceje që kërcen”,  në vlerësimin e rrezikut të konfuzionit, duke pasur parasysh formulimin e Nenit 4(1)(b), sipas të cilit rreziku i konfuzionit “përfshin rrezikun e asociimit me markën e mëparshme”.

II. Vlerësimi i Gjykatës                                                                                                                                                                 

Neni 4(1)(b) i Direktivës nuk zbatohet kur nuk ekziston rrezik konfuzioni nga ana e publikut. Në këtë drejtim, është e qartë nga konsiderata e dhjetë e përcaktuar në preambulën e Direktivës se vlerësimi i rrezikut të konfuzionit “varet nga elementë të shumtë dhe, në veçanti, nga njohja e markës në treg, nga asociimi që mund të bëhet me shenjën e përdorur ose të regjistruar, nga shkalla e ngjashmërisë ndërmjet markës dhe shenjës dhe ndërmjet mallrave ose shërbimeve të identifikuara”. Rreziku i konfuzionit duhet, për rrjedhojë, të vlerësohet globalisht, duke marrë parasysh të gjithë faktorët që janë të rëndësishëm për rrethanat e çështjes.
Perceptimi i markave nga konsumatori mesatar i kategorisë së mallrave ose shërbimeve në fjalë luan një rol vendimtar në vlerësimin global të rrezikut të konfuzionit.
Neni 4(1)(b) i Direktivës së Parë të Këshillit 89/104/KEE të 21 dhjetorit 1988 duhet të interpretohet në kuptimin që asociimi i thjeshtë që publiku mund të bëjë midis dy markave si rezultat i një ngjashmërie në përmbajtjen e tyre semantike nuk është, në vetvete, i mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se ekziston rrezik konfuzioni në kuptimin e asaj dispozite.