Në Fletoren Zyrtare Nr. 197, datë 12.11.2020, janë publikuar disa ndryshime në kuadrin ligjor të tatim-taksave, konkretisht:
- Ndryshimi në ligjin Nr. 9632, datë 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”.
Paragrafi i parë i Nenit 10 të ligjit “Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël”, parashikonte detyrimin e pagesës së tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, ndërsa ndryshimi i fundit përcakton se cdo biznes bëhet subjekt i të gjitha detyrimeve të parashikuara në kreun 3 të ligjit.
Neni 11, për Shkallën Tatimore, parashikonte tatimin e thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël me qarkullim vjetor nga 2-8 milionë lekë në 7.5%, dhe për subjektet me qarkullim vjetor nga 0-2 milionë lekë, është 26000 lekë në vit, ndërsa tani është parashikuar për të gjitha bizneset e vogla me qarkullim vjetor nga 0-8 milion lekë, shuma është 0 lekë.
Neni 16, për Deklarimin, parashikonte që tatimpaguesit me qarkullim nga 2-8 milionë lekë, janë të detyruar deri me datën 10 shkurt të vitit që pason periudhën tatimore, të dorëzojnë një deklaratë vjetore tatimore ku të jepen hollësisht të ardhurat, gjithsej, shpenzimet e zbritshme, fitimi i tatueshëm, tatimi për tu paguar, dhe cdo hollësi tjetër e kërkuar nga Ministria e Financave, ndërsa tani kjo parashikohet për të gjithë tatimpaguesit që janë subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël.
Neni 17, për Administrimin e Tatimit, parashikonte që, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet Drejtorive Rajonale Tatimore, është ngarkuar me vlerësimin, mbledhjen, kontrollin, arkëtimin dhe transferimin në llogarinë e buxhetit të qeverisjes vendore të të ardhurave nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, ndërsa pas ndryshimeve parashikohet që institucionet e mësipërme ngarkohen vetëm me vlerësimin dhe kontrollin e tatimpaguesve, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël.
Ky ndryshim hyn në fuqi më 1 Janar 2021.
- Shtesë në ligin nr. 92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.
Në nenin 49 të ligjit, “Për Shkallët e Reduktuara”, është shtuar pika 9 e cila shprehet për shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar, që aplikohet për furnizimin e shërbimeve të punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore të klubeve sportive, apo federatave sportive, të përcaktuara ne legjislacionin e fushës për sportin, që është në nivelin 6%.
Ky ligj hyn në fuqi më 21 Janar 2021.
- Ndryshimi në udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.
Si datë e mospagimit në mënyrë vullnetare të detyrimeve tatimore, do të merret dita e parë e punës mbas datës së vendosur në njoftimin nga administrata tatimore. Në rast se në atë datë tatimpaguesi nuk e ka kryer pagesën e detyruar tatimore, titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore nxjerr urdhërbllokimin e llogarive bankare, si masë për garantimin e mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor.
Në urdhër përfshihet identiteti i plotë i tatimpaguesit, llogaritë që preken nga dalja e këtij urdhëri, shkaku i nxjerrjes së tij, llojin e detyrimit që po ekzekutohet, datën kur tatimpaguesi duhet ta kishte paguar vetë detyrimin tatimor si dhe shuma që bankat duhet të bllokojnë.
Në rast se detyrimi i tatimpaguesit ekzekutohet plotësisht, administrata tatimore dërgon menjëherë një urdhër zhbllokimi në adresë të bankave ku tatimpaguesi është klient. Në rast se detyrimi i tatimpaguesit ekzekutohet pjesërisht, administrata tatimore dërgon një urdhër të ri bllokimi drejtuar bankave, ku tatimpaguesi ka llogari bankare për shumën e detyrimit tatimor të papaguar që rezulton mbas kryerjes së ekzekutimit të pjesshëm. Në rast se tatimpaguesi nuk ka gjendje në llogaritë bankare në asnjë nga bankat, llogaritë do të vazhdojnë të mbahen të bllokuara në bazë të urdhërbllokimit, që është lëshuar nga administrata tatimore
Nëse pas zbatimit ndaj subjektit të të gjitha masave shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimit, detyrimet tatimore të personit juridik nuk shlyhen plotësisht, administrata tatimore e transferon detyrimin tatimor të mbetur të subjektit tek ortaku, aksionari dhe administratori.
Urdhëri i bllokimit është i vlefshëm për një afat 12 mujor, me kalimin e këtij afati llogaritë dhe depozitat zhbllokohen automatikisht nga banka, pa nevojën e një njoftimi shtesë.
Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.