Është publikuar për konsultim publik projektligji “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili synon të unifikojë në një kuadër të vetëm ligjor rregullimin e investimeve vendase dhe të huaja, duke zëvendësuar dy ligjet ekzistuese ligjin nr. 7764, datë 02.11.1993, “Për investimet e huaja”, të ndryshuar dhe Ligjin nr. 55/2015, datë 28.05.2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektligji sjell risi të rëndësishme në krahasim me kuadrin ligjor të mëparshëm, si në drejtim të mbështetjes së investimeve, ashtu edhe të kontrollit të tyre dhe marrëdhënieve me institucionet shtetërore. Ndër ndryshimet kryesore veçohen:

  1. Përdorimi i pronës shtetërore: Neni 16 parashikon që, sipas klasifikimit të zonës, prona shtetërore mund të vihet në dispozicion kundrejt 100% të vlerës referuese në Zonën 1, 50% në Zonën 2 dhe një tarife të reduktuar në Zonën 3. Ky parashikim krijon një sistem të diferencuar ekonomik për mbështetjen e investimeve, në varësi të potencialit zhvillimor të zonës.
  2. Investimet në pronën shtetërore kufitare: Sipas neneve 15 dhe 43, investitori mund të kërkojë edhe përdorimin e pronës shtetërore kufitare deri në 20% të sipërfaqes së pronës private, për nevojat e investimit. Kjo mundësi përbën një risi të rëndësishme, por kërkon vëmendje të veçantë për sa i përket transparencës, konkurrencës dhe administrimit të pasurisë publike.
  3. Kontrolli i investimeve të huaja: Nenet 47–56 vendosin një mekanizëm autorizimi dhe kontrolli paraprak (FDI Screening) për investimet që mund të ndikojnë në sigurinë kombëtare, rendin publik dhe sektorët kritikë. Projektligji parashikon gjithashtu gjoba që, në raste të caktuara, mund të arrijnë deri në dyfishin e vlerës së investimit.
  4. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve: Neni 57 parashikon një mekanizëm për trajtimin miqësor të ankesave të investitorëve ndaj veprimeve ose mosveprimeve të institucioneve shtetërore, përpara se mosmarrëveshja të përshkallëzohet në gjykatë ose arbitrazh.
  5. Regjimi kalimtar. Nenet 59–60 parashikojnë shfuqizimin e dy ligjeve ekzistuese, por ruajnë zbatimin e ligjit nr. 55/2015 për subjektet që kanë përfituar ose kanë aplikuar për statusin përkatës përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
  6. Risi të tjera institucionale dhe procedurale: Projektligji parashikon ndryshime edhe në organizimin institucional dhe procedurat e mbështetjes së investimeve. Konkretisht, krahas AIDA-s, parashikohet funksionimi i Komitetit të Nxitjes së Investimeve dhe Komitetit Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja. Gjithashtu, krijohet Fondi i Nxitjes së Investimeve.

.