Koncepti I Inteligjencës Artificiale (AI) i ka rrënjët në mesin e shekullit XX dhe u zhvillua si një përpjekje ndërdisiplinore që ndërthurte logjikën, matematikën, filozofinë dhe më vonë shkencën kompjuterike. Një nga figurat themelore të kësaj fushe ishte Alan Turing, i cili në punimin e tij të famshëm të vitit 1950 “Computing Machinery and Intelligence”, ngriti pyetjen themelore: “A mund të mendojë një makinë?”. Ai propozoi një metodë eksperimentale për të vlerësuar inteligjencën artificiale, e cila më vonë u njoh si “Testi i Turingut” që synonte të zbulonte nëse një makinë mund të shfaqte sjellje të padallueshme nga ajo e një njeriu. Në këtë punim, Turing propozoi një metodë eksperimentale për vlerësimin e inteligjencës së makinave, e cila më vonë u bë e njohur si “Testi i Turingut”, me qëllim të përcaktimit nëse një makinë mund të shfaqte një sjellje të padallueshme nga ajo e një qenieje njerëzore. Në analizën e tij, Turing i referohet edhe qëndrimit të Profesor Geoffrey Jefferson, i shprehur në një fjalim të vitit 1949, sipas të cilit një makinë nuk mund të konsiderohej e barabartë me trurin e njeriut për sa kohë që nuk është në gjendje të krijojë, të ndiejë dhe të përjetojë emocione në mënyrë autentike, por vetëm të simulojë procese logjike përmes mekanizmave të saj.[1]

Termi “inteligjencë artificiale” u artikulua për herë të parë në vitin 1956 nga John McCarthy, Marvin Minsky, Nathaniel Rochester dhe Claude Shannon, gjatë Konferencës së Dartmouth-it në SHBA. Autorët propozuan se “çdo aspekt i të mësuarit ose i ndonjë karakteristike tjetër të inteligjencës mund, në parim, të përshkruhet aq saktësisht, saqë një makinë mund të simulohet për ta realizuar atë”.[2]

Sot, AI merr një rol de facto si aktor juridik informal, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet juridike të qytetarëve, shpesh pa një ndërhyrje njerëzore ose një proces transparent që të mundësojë kontrollin ose ankimimin. Vendimmarrja e automatizuar jo vetëm që mund të reduktojë rolin e aktorëve institucionalë, por edhe të minojë të drejtën e njeriut për një proces të rregullt dhe të drejtë, e garantuar specifikisht nga neni 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Lirirtë Themelore.

Në vijim të këtij ndryshimi në jetën moderne, në vitin 2017,[3] Këshilli Evropian bëri thirrje për një “ndjeshmëri urgjente ndaj tendencave në zhvillim,”[4] duke përfshirë “çështje të tilla si inteligjenca artificiale…, ndërkohë që sigurohet një nivel i lartë mbrojtjeje të të dhënave, të drejtave dixhitale dhe standardeve etike.” Në Përfundimet e tij të vitit 2019 mbi Planin e Koordinuar për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale “Made in Europe,” [5] Këshilli theksoi edhe më tej rëndësinë e respektimit të plotë të të drejtave të qytetarëve evropianë dhe bëri thirrje për një rishikim të legjislacionit ekzistues, në mënyrë që ai të përshtatet me mundësitë dhe sfidat e reja që paraqet AI-ja. Gjithashtu, Këshilli Evropian kërkoi një përcaktim të qartë të aplikacioneve të AI-së që duhet të konsiderohen me rrezik të lartë.[6]

Në të njëjtën linjë, Parlamenti Evropian ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e qasjes së BE-së ndaj AI-së, duke ndërmarrë një sërë nismash ligjvënëse dhe strategjike. Në tetor 2020, ai miratoi tri rezoluta të rëndësishme që trajtonin aspektet etike të inteligjencës artificiale,[7] përgjegjësinë ligjore (civile)[8] dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit.[9] Këto u pasuan në vitin 2021 nga rezoluta të tjera që fokusoheshin në përdorimin e AI-së në fushën penale[10] si dhe në arsimin, kulturën dhe sektorin audio-vizual.[11]

Kulmi i këtyre përpjekjeve u materializua me miratimin e Rregullores (BE) 2024/1689 mbi Inteligjencën Artificiale (AI Act) [12], e cila përfaqëson përpjekjen e parë gjithëpërfshirëse në nivel global për rregullimin e zhvillimit, vendosjes në treg dhe përdorimit të sistemeve të inteligjencës artificiale.

Neni 1, Akti për Inteligjencën Artificiale, BE parashikon specifikisht: “Qëllimi i kësaj Rregulloreje është të përmirësojë funksionimin e tregut të brendshëm dhe të nxisë përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) që është e përqendruar te njeriu dhe e besueshme, duke siguruar një nivel të lartë mbrojtjeje të shëndetit, sigurisë, të drejtave themelore të garantuara në Kartën e të Drejtave, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit, kundër efekteve të dëmshme të sistemeve të IA-së në Bashkimin Evropian, si dhe duke mbështetur inovacionin[…]”.

Në të njëjtën linjë me Rregulloren (BE) 2024/1689 (AI Act) dhe në kuadër të detyimeve që burojnë nga MSA, AKSHI , si institucioni kompetent, ka hartuar Projektligjin “Për Inteligjencën Artificiale”. Ky projektligj ndjek në masë të madhe strukturën dhe filozofinë e AI Act, duke synuar krijimin e një kuadri të harmonizuar ligjor për zhvillimin, vendosjen në treg dhe përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale në Republikën e Shqipërisë.

Qëllimi i projektligjit është të përmirësojë funksionimin e tregut dhe të mjedisit juridik në Republikën e Shqipërisë, duke promovuar zhvillimin dhe përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale të përqendruara te njeriu dhe të besueshme, si dhe duke garantuar një nivel të lartë mbrojtjeje të shëndetit, sigurisë, të drejtave themelore, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Projektligji zbatohet ndaj ofruesve, përdoruesve, importuesve dhe shpërndarësve të sistemeve të inteligjencës artificiale, si dhe ndaj prodhuesve që integrojnë sisteme IA në produktet e tyre. Fusha e zbatimit shtrihet edhe ndaj subjekteve të vendosura jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kur rezultatet e sistemeve të tyre përdoren në Shqipëri.

Nga ana tjetër, projektligji nuk zbatohet për sistemet e IA-së të përdorura ekskluzivisht për qëllime ushtarake, të mbrojtjes ose të sigurisë kombëtare, për modelet e zhvilluara vetëm për kërkim shkencor dhe zhvillim, si dhe për përdorimet thjesht personale dhe joprofesionale nga individët.

Neni 3 na jep kuptimin e “sistem IA”, i cili do të thotë një sistem i bazuar në makineri që është projektuar të funksionojë me nivele të ndryshme autonomie dhe që mund të shfaqë adaptueshmëri pas vendosjes në funksion, dhe që, për objektiva të shprehur ose të nënkuptuar, nxjerr, nga të dhënat hyrëse që merr, mënyrën për të gjeneruar rezultate si parashikime, përmbajtje, rekomandime ose vendime që mund të ndikojnë në mjedise fizike ose virtuale.

 

Projektligji ndalon një sërë praktikash të inteligjencës artificiale që konsiderohen të papajtueshme me mbrojtjen e të drejtave themelore dhe dinjitetin njerëzor. Ndër to përfshihen sistemet manipuluese, shfrytëzimi i dobësive të individëve, sistemet e vlerësimit social (“social scoring”), profilizimi për parashikimin e sjelljes kriminale, krijimi i bazave biometrike përmes mbledhjes masive të të dhënave, si dhe forma të caktuara të identifikimit biometrik dhe njohjes së emocioneve.

Kategorizimi i sistemeve të inteligjencës artificiale

Në përputhje me qasjen e AI Act të Bashkimit Evropian, projektligji shqiptar klasifikon sistemet e inteligjencës artificiale sipas nivelit të rrezikut që ato paraqesin.

Sistemet e IA-së me rrezik të lartë

Një sistem konsiderohet me rrezik të lartë kur përdoret si komponent sigurie i një produkti ose kur vetë sistemi i nënshtrohet procedurave të vlerësimit të konformitetit para vendosjes në treg. Për këto sisteme parashikohen kërkesa të posaçme, si menaxhimi i rrezikut, hartimi i dokumentacionit teknik, regjistrimi i ngjarjeve, sigurimi i mbikëqyrjes njerëzore, respektimi i standardeve të sigurisë dhe kryerja e vlerësimit të ndikimit mbi të drejtat themelore. Gjithashtu, ato duhet të pajisen me deklaratë konformiteti dhe të regjistrohen në bazat përkatëse të të dhënave.

Projektligji vendos detyrime transparence për sisteme të caktuara të IA-së, duke kërkuar që personat fizikë të informohen kur ndërveprojnë drejtpërdrejt me një sistem inteligjence artificiale, përveç rasteve kur kjo është e vetëkuptueshme nga konteksti i përdorimit.

Modelet e inteligjencës artificiale me qëllim të përgjithshëm

Projektligji rregullon gjithashtu modelet e IA-së me qëllim të përgjithshëm (General Purpose AI Models), duke u imponuar ofruesve të tyre detyrime që lidhen me dokumentacionin teknik, transparencën, ndarjen e informacionit me zhvilluesit e tjerë dhe respektimin e legjislacionit mbi të drejtën e autorit.

Modelet me rrezik sistemik

Për modelet e IA-së me qëllim të përgjithshëm me rrezik sistemik parashikohen kërkesa shtesë, të tilla si testimi i avancuar, identifikimi dhe minimizimi i rreziqeve sistemike, raportimi i incidenteve serioze dhe garantimi i një niveli të lartë të sigurisë kibernetike.

Përfaqësuesi i autorizuar

Ofruesit e modeleve të IA-së të vendosur jashtë Republikës së Shqipërisë duhet të emërojnë një përfaqësues të autorizuar në territorin shqiptar, i cili do të sigurojë përmbushjen e detyrimeve të parashikuara nga ligji.

Koncepti i “sandbox” rregullator

Një nga risitë e projektligjit është krijimi i “sandbox”-it rregullator, një mjedis i kontrolluar ku zhvilluesit dhe ofruesit e sistemeve të inteligjencës artificiale mund të testojnë teknologjitë e tyre përpara vendosjes në treg. Ky mekanizëm synon të nxisë inovacionin, duke garantuar njëkohësisht respektimin e kërkesave ligjore dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

Në përfundim, projektligji “Për Inteligjencën Artificiale” përbën një transpozim pothuajse të plotë të Rregullores (BE) 2024/1689 (AI Act) dhe paraqitet si një akt me natyrë tepër teknike. Megjithëse ai përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit me legjislacionin evropian, zbatimi praktik i tij pritet të jetë sfidues, pasi kërkon kapacitete institucionale dhe specialistë të kualifikuar në fusha të ndryshme teknike dhe juridike për të garantuar një mbikëqyrje dhe implementim efektiv të dispozitave të tij.

[1] Turing, A. M. Computing machinery and intelligence., 1950, https://courses.cs.umbc.edu/471/papers/turing.pdf

[2] McCarthy, J., Minsky, M., Rochester, N., & Shannon, C. E. (1955). A proposal for the Dartmouth Summer Research Project on Artificial Intelligence

[3] Komisioni Evropian, Propozim për një Rregullore të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit për vendosjen e rregullave të harmonizuara mbi inteligjencën artificiale (Akt për Inteligjencën Artificiale) dhe për ndryshimin e disa akteve legjislative të Bashkimit, COM(2021) 206 final, 21 prill 2021.

[4] Këshilli Evropian, Mbledhja e Këshillit Evropian (19 tetor 2017) – Konkluzione EUCO 14/17, 2017, f. 8.

[5] Këshilli i Bashkimit Evropian, Inteligjenca artificiale b) Përfundimet mbi Planin e koordinuar për inteligjencën artificiale – Miratimi, 6177/19, 2019.

[6] Këshilli Evropian, Mbledhja e posaçme e Këshillit Evropian (1 dhe 2 tetor 2020) – Përfundimet, EUCO 13/20, 2020.

[7] Rezoluta e Parlamentit Evropian e datës 20 tetor 2020 mbi një kuadër për aspektet etike të inteligjencës artificiale, robotikës dhe teknologjive të ngjashme, 2020/2012(INL).

[8] Rezoluta e Parlamentit Evropian e datës 20 tetor 2020 mbi një regjim të përgjegjësisë civile për inteligjencën artificiale, 2020/2014(INL).

[9] Rezoluta e Parlamentit Evropian e datës 20 tetor 2020 mbi të drejtat e pronësisë intelektuale për zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale, 2020/2015(INI).

[10] Raporti paraprak i Parlamentit Evropian, Inteligjenca artificiale në të drejtën penale dhe përdorimi i saj nga autoritetet policore dhe gjyqësore në çështjet penale, 2020/2016(INI).

[11] Raporti paraprak i Parlamentit Evropian, Inteligjenca artificiale në arsim, kulturë dhe sektorin audio-vizual, 2020/2017(INI). Në këtë drejtim, Komisioni ka miratuar Planin e Veprimit për Arsimin Dixhital 2021–2027: Riformësimi i arsimit dhe trajnimit për epokën dixhitale, i cili parashikon zhvillimin e udhëzimeve etike për përdorimin e AI-së dhe të dhënave në arsim – Komunikimi i Komisionit COM(2020).

[12] Bashkimi Evropian. (2024). Akti për Inteligjencën Artificiale.