Më datë 18.03.2026, Udhëzimi nr. 9, datë 12.03.2026, u publikua në Fletoren Zyrtare, duke sjellë disa ndryshime të rëndësishme në zbatimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale, si dhe rregulla të reja që prekin artistët e huaj, sponsorizimet, të vetëpunësuarit dhe marrëdhëniet e punës.
Çfarë sjell Udhëzimi?
🎭 Status i veçantë tatimor për artistët e huaj
Artistët jorezidentë nuk konsiderohen rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 24 mujore, pavarësisht numrit të ditëve të qëndrimit. Kjo periudhë nuk rifillon në rast daljeje dhe rihyrjeje në vend. Pas përfundimit të saj, zbatohen rregullat e përgjithshme mbi rezidencën tatimore.
✔ Përjashtim i kufizuar nga tatimi për sponsorizimet
Të ardhurat e përfituara nga sponsorizimet përjashtohen nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale vetëm brenda kufijve ligjorë.
➡️ Çdo shumë që tejkalon këtë kufi trajtohet si e tatueshme.
➡️ Kërkohet dokumentacion i plotë (kontratë, provë pagese, konfirmim nga sponsori).
➡️ Në mungesë të dokumentacionit të rregullt, e gjithë shuma konsiderohet e tatueshme.
✔ Deklarimi i statusit të të vetëpunësuarit
Personat e vetëpunësuar mund të deklarojnë se nuk janë në marrëdhënie pune.
Megjithatë, administrata tatimore ka të drejtë të verifikojë dhe të riklasifikojë të ardhurat si të ardhura nga punësimi nëse konstatohet shmangie tatimore.
✔️ Punësim i shumëfishtë
Kur një individ ka më shumë se një vend pune dhe njëri prej tyre është në administratën publike, deklarata e statusit personal duhet të dorëzohet pranë punëdhënësit publik për qëllime të mbajtjes mujore të tatimit.
✔️ Kontribute vullnetare pensioni
Kontributet e punëmarrësit janë të zbritshme nga të ardhurat e tatueshme (deri në kufirin e pagës minimale kombëtare). Kontributet e punëdhënësit nuk konsiderohen të ardhura për punëmarrësin.
Kërkohet dokumentacion mbështetës dhe një vërtetim vjetor nga fondi i pensionit.


