Më datë 24.02.2026, u botua në Fletoren Zyrtare Udhëzim i Përbashkët i Ministrit të Financave dhe Drejtorit të ASHK-së, nr.5, datë 19.2.2026, i cili u jep mundësinë kategorive të caktuara, si vijon, të bëjnë rivlerësimin e pasurive me vlerën e tregut.

Subjektet përfitojnë:
– Individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026;
– Individët që kanë në pronësi pasuri të rivlerësuara më parë;
– Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruara në pasqyrat financiare të vitit 2025, në zërin aktive afatgjata materiale, pasuri të paluajtshme.

Si realizohet rivlerësimi?
1.Vullnetarisht pranë ASHK, drejtorisë vendore ku ndodhet pasuria;
2. Nëpërmjet një eksperti të licensuar.

Kujdes! Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.

Baza e tatueshme:
Për realizimin e rivlerësimit, duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit, 5% e bazës së tatueshme dhe tarifën e kryerjes së shërbimit.

– Nëse rivlerësimi kryhet nëpërmjet ASHK-së, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, pra çmimi i referencës për pasurinë e paluajtshme ndërtesa dhe sipas hartës së vlerave për pasurinë e paluajtshme tokë;
– Nëse rivlerësimi kryhet nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.
– Nëse pasuria rezulton e regjistruar pa vlerë, ose vlera e regjistruar është e shprehur në monedha të tilla, si franga ari, apo napolona floriri, si dhe për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit për metër katrorë e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave, në vitin e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme.
– Për ndërtesat e përfituara në rastet e trashëgimisë, dhuratave apo heqjes dorë, pa vlerë, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit për metër katrorë, e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave në datën e regjistrimit të aktit.
– Për tokën, nëse nuk ka një vlerë në regjistrim, si vlerë e zbritshme do të merret vlera e llogaritur, duke përdorur indeksimin e çmimit të tokës sipas hartës së vlerave, me inflacionin mesatar vjetor të llogaritur për vitin në të cilin është fituar pronësia, sipas aneksit nr.1 bashkëngjitur udhëzimit të përbashkët nr. 34/2023.

Brenda 5 ditëve, nga verifikimi i pagesës së tatimit të rivlerësimit të pasurisë dhe tarifave të shërbimit, Drejtoria vendore e ASHK-së, duhet të kryejë shënimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

Çfarë mund bëjmë ne për ju?
Nëse doni të përfitoni nga ky udhëzim, ne jemi në dispozicion për t’ju asistuar në të gjitha fazat e procesit.