Në vendimin nr. 00-2024-4689 (671), datë 27/11/2024 Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë shqyrtoi rekursin e paraqitur nga një shoqëri tregtare kundër vendimit të Gjykatës së Apelit.

Në këtë vendim, gjykata ka interpretuar disa dispozita të Kodit Civil, të cilat lidhen me vonesën e dorëzimit të sendit nga debitori dhe detyrimin e tij për të shpërblyer dëmin që ka pësuar kreditori. Në rast të provës së fitimit të munguar, ky duhet të vlerësohej në bazë të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e palës së paditur, duke marrë parasysh rrethanat konkrete të kontratës dhe veprimet e të paditurit. Gjykata thekson se fitimi i munguar nuk mund të interpretohet si një vlerë e përgjithshme dhe hipotetike, por duhet të analizohet si një fitim real që do të ishte realizuar në kushtet e zakonshme të tregut, gjatë periudhës kur pala e paditur ka penguar realizimin e këtij fitimi. Kjo sepse, sipas ligjit, ky fitim duhet të jetë real dhe i bazuar në rrethanat faktike, dhe jo një fitim i mundshëm që lidhet me një premtim (siç është deklarata noteriale në këtë rast), duke i imponuar kështu të paditurit detyrimin për të përmbushur një kontratë që ka marrë përsipër.

Në këtë rast, kërkesa e paditësit për fitimin e munguar për një periudhë 5-vjeçare nuk është vlerësuar siç duhet nga gjykatat e faktit. Kolegji ka konstatuar se gjykatat duhet të kishin analizuar më thellë provat dhe periudhën kohore që lidhet me vonesën në dorëzimin e sendit, dhe të kishin bërë një vlerësim më të kujdesshëm të fitimit të munguar në kushtet reale të tregut dhe sjelljes së debitorit

Ky interpretim i ligjit është i rëndësishëm sepse vendos një bazë ligjore për kërkimin e shpërblimit të fitimit të munguar, si një element të dëmit që rrjedh nga mosmarrëveshja për realizimin e kontratës.