VKM nr. 776, datë 19.12.2025, publikuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, ndryshon pagën minimale në shkallë vendi, pasi Këshilli i Ministrave ka vendosur një rritje të pagës minimale duke e përcaktuar atë në 50,000 lekë në muaj. Ky vendim, i cili sjell një rritje të konsiderueshme krahasuar me nivelin aktual prej 40,000 lekësh, i fillon efektet nga data 1 janar 2026. Kjo rritje synon të përmirësojë të ardhurat, fuqinë blerëse dhe kushtet e jetesës për mijëra punonjës në vend.
Sipas vendimit, paga bazë minimale mujore prej 50,000 lekësh është e detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë punëdhënësit, qofshin ata persona fizikë apo juridikë, vendas ose të huaj, që operojnë në Shqipëri. Paga minimale është llogaritur për 174 orë pune në muaj, që përfaqësojnë kohën normale të punës. Në bazë të vendimit paga minimale orare do të jetë 287.3 lekë për orë.
Vendimi saktëson gjithashtu se çdo shtesë me karakter të përhershëm duhet të jepet mbi pagën bazë minimale dhe nuk përfshihet brenda saj. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi i mëparshëm i Këshillit të Ministrave i vitit 2023, i cili e përcaktonte pagën minimale 40,000 lek.
Paga maksimale për qëllime të llogaritjes së kontributeve shoqërore indeksohet njëkohësisht dhe në të njëjtën përqindje me pagën minimale në shkallë vendi. Duke qenë se paga minimale është indeksuar me 25% (nga 40.000 lekë në 50.000 lekë), e njëjta normë indeksimi duhet të zbatohet edhe për pagën maksimale.Si rrjedhojë, paga maksimale për efekt të kontributeve shoqërore duhet të përcaktohet në vlerën 220.520 lekë, duke reflektuar një rritje prej 25% mbi vlerën ekzistuese prej 176.416 lekësh
Kjo masë synon mbrojtjen e nivelit të jetesës së të punësuarve, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e standardit të jetesës për mijëra familje shqiptare. Rritja e pagës minimale do të kontribuojë në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave, duke sjellë një ndikim pozitiv në ekonominë e vendit.


