Kjo çështje, e ardhur për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, ka shërbyer për të unifikuar praktikën gjyqësore në lidhje me trajtimin e padive dhe kundërpadive në çështje familjare me element të huaj, duke vënë theksin tek domosdoshmëria e një trajtimi të përbashkët juridiksional.

🔹 Rrethanat e çështjes

Palët N.K. dhe E.B., të martuar në vitin 2021 dhe me një fëmijë të mitur (D.K.), kanë jetuar së bashku në Greqi.N.K. paraqiti kërkesë për zgjidhjen e martesës dhe kujdestarinë e fëmijës, ndërsa E.B., me kundërpadi, kërkoi lejimin që i mituri të udhëtonte jashtë shtetit pa autorizimin e babait.

🔹 Qëndrimi i palës ankuese

E.B. ankimoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, duke theksuar se:

  1. Palët dhe fëmija janë shtetas shqiptarë;
  2. Martesa është lidhur në Shqipëri,  prandaj juridiksioni është shqiptar;
  3. Nuk kishte ndarje të padive, ndaj nuk mund të trajtohen në juridiksione të ndryshme;
  4. Në Greqi nuk parashikohet një proces i tillë i veçantë, pasi nënës i jepet automatikisht e drejta për lëvizje me fëmijën, nëse ka kujdestarinë.

🔹 Arsyetimi i Kolegjit Civil Gjykatës Lartë

Kolegji Civil arsyetoi se vendimi për nxjerrjen jashtë juridiksionit të vetëm kundërpadisë ishte i pabazuar.

Kërkesa për lëvizjen e fëmijës lidhet ngushtë me zgjidhjen e martesës dhe ushtrimin e përgjegjësisë prindërore – çështje që përbëjnë një marrëdhënie vetme juridike, dhe nuk mund të ndahen në juridiksione të ndryshme. Gjykata theksoi se, edhe pse vendqëndrimi i fëmijës është në Greqi, ky fakt nuk justifikon ndarjen procedurale të kërkesave, pasi as Konventa e Hagës dhe as ligji shqiptar për të drejtën ndërkombëtare private nuk e parashikojnë një ndarje të tillë.

🔹 Përfundimi

Në funksion të një procesi të drejtë, koherent dhe në interesin më të lartë të fëmijës, Kolegji prishi vendimin e mëparshëm dhe e ktheu çështjen në Gjykatën e Elbasanit për vazhdimin e gjykimit të të dy kërkesave në një proces të unifikuar.