Rrethanat:
Paraardhësit e kërkuesve kishin një banesë dhe parcelë që më vonë u shtetëzua gjatë regjimit komunist. Komisioni për Kthimin dhe Kompensimin e
Pronave i ktheu familjes një pjesë të tokës, por kërkesa për pjesën tjetër të pronës u refuzua për shkak të mbivendosjes me një parcelë tjetër. Çështja
kaloi në procese gjyqësore, ku Gjykata e Rrethit dhe më pas Gjykata e Apelit vendosën përfundimisht në favor të kërkuesve. Megjithatë, Gjykata e
Lartë në vitin 2017 prishi këto vendime, duke konkluduar se kërkuesit kishin marrë tashmë pronën që u takonte. Kërkuesit u ankuan për procesin
gjyqësor përpara Gjykatës së Lartë dhe pretenduan që në vendimin e saj ajo kishte bërë një vlerësim tërësisht të ndryshëm të fakteve krahasuar me
atë të gjykatave më të ulëta dhe që ai vlerësim nuk bazohej në provat e paraqitura nga palët. Ata pretenduan që procesi në Gjykatën e Lartë ishte i
padrejtë, duke rezultuar në shkelje të paragrafit 1 të nenit 6 të Konventës.
GJEDNJ shpalli të pranueshme çështjen pasi vëren se ankimi ka të bëjë me një të drejtë të mbrojtur nga Konventa dhe që ata ishin të prekur
drejtpërdrejt nga rezultati i procesit gjyqësor, që kishte të bënte me shkelje të dyshuara të së drejtës së pronës dhe të së drejtës për gjykim të drejtë.
Arsyetimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut:
GJEDNJ vëren që në këtë çështje, Gjykata e Rrethit dhe Gjykata e Apelit dolën në të njëjtat konkluzione për të drejtat e pronës së paraardhësve të
kërkuesve mbi parcelën, bazuar në raportin e ekspertit dhe prova të tjera. Gjykata e Lartë e cila vepron si një gjykatë e çështjeve të ligjit në Shqipëri
kishte vënë në diskutim konkluzionet e raportit të ekspertit, ndërsa kërkuesit nuk kishin qenë në gjendje që të paraqisnin ndonjë kundërargument.
Faktet e paraqitura në vendimin e Gjykatës së Lartë duket se janë të ndryshme nga ato të përcaktuara nga gjykatat më të ulëta dhe në kundërshtim
me provat e paraqitura në çështje. Gjykata e Lartë nuk citon ndonjë provë në mbështetje të konkluzioneve të saj përmbledhëse dhe nuk shpjegoi as
arsyen pse konkluzionet e raportit të hartuar nga eksperti i caktuar nga gjykata dhe i miratuar nga dy gjykatat e faktit u konsideruan pa rëndësi ose të
pasakta, as mbi cilat argumente ajo ishte bazuar për të dalë në një konkluzion të ndryshëm.
Sipas GJEDNJ, arsyetimi i Gjykatës së Lartë nuk është thjesht një interpretim i ndryshëm i provave, por një përmbysje arbitrare e gjetjeve faktike të
gjykatave më të ulëta pa shpjegimet e duhura dhe ndërkohë bazohet në fakte në lidhje me të cilat asnjë nga palët nuk kishte paraqitur prova përpara
Gjykatës së Lartë.
Gjykata del në konkluzionin që Gjykata e Lartë nuk ka siguruar, përmes një vendimi të arsyetuar siç duhet, të drejtën e kërkuesve për gjykim të
drejtë siç e kërkon neni 6 § 1 i Konventës. Prandaj në këto rrethana konstatohet shkelje e paragrafit 1 të nenit 6 të Konventës për të drejtën e
kërkuesve për një vendim të arsyetuar nga Gjykata e Lartë.


