Paditësit kishin pasuri tokë bujqësore si dhe ullishte sipas aktit të marrjes së tokës në pronësi. Pala e paditur Shoqëria “sh.a.” dhe Shoqëria “T.A” sh.p.k janë shoqëri aksionare me objekt të veprimtarisë së tyre kryerjen e operacioneve hidrokarbure. Kanë ndodhur dëmtime të ullinjve për shkak të shkarkimeve të pakontrolluara të gazrave në ajër duke ulur rendimentin e prodhimit. Kërkohet detyrimi i palës së paditur të dëmshpërblejë për dëmin e shkaktuar nga mosrealizimi i prodhimit në pasurinë ullishte në pronësi të secilit prej paditësve për tre vitet e fundit.

Gjykata e shkallës së parë  arsyeton se për përcaktimin e përgjegjësisë sipas nenit 622 të K. Civil vendimtare është lidhja shkakësore, pra që të provohet se dëmet janë shkaktuar nga veprimtaria e rrezikshme, e nuk ka rëndësi se cila ka qenë sjellja e atij që e ka ushtruar veprimtarinë e rrezikshme apo ka përdorur sendet e rrezikshme. Gjithashtu, të drejtat e paditësve për pasurinë e tyre ullishte mbrohen në mënyrë të posaçme nga Ligji Për Tokën nr. 7501, datë 19.07.1991, i cili në nenin 20 të tij përcakton se dëmi që shkaktohet në pemëtoret, ullishte, vreshtat dhe kulturat bujqësore shpërblehet nga subjekti që e ka kryer dëmin. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar nga eksperti agronom se ullinjtë e palës paditëse janë të dëmtuar dhe shkaku kryesor për mosmarrjen e prodhimit të tyre është emetimi i vazhdueshëm i gazit H₂S dhe çlirimi pandërprerë në atmosferë i komponentëve të tjerë hidrokarburë që shkaktohen nga nxjerrja e naftës në këtë zonë.

Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. Gjykata e Apelit e çmon të drejtë arsyetimin që gjykata e faktit i ka bërë zgjidhjes së konfliktit. Në rastin në shqyrtim plotësohen në mënyrë kumulative elementët e anës objektive të përgjegjësisë civile të palës së paditur Shoqërisë “T.A” sh.p.k për dëmin e shkaktuar në formën e mosprodhimit dhe rehabilitimit të ullinjve të palës paditëse. Ka ushtruar rekurs pala e paditur.

Gjykata e Lartë me vendimin e datës 18.06.2025 vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me tjetër trup gjykues. Kolegji vlerëson se Gjykata e Apelit nuk ka kryer një hetim të plotë në lidhje me shkakun e dëmit të pretenduar nga pala paditëse, nëse ky dëm i pretenduar është shkaktuar nga veprimi i drejtpërdrejtë i sasisë tej normave të lejuara të gazit H₂S në ajër apo është rezultat i komponentëve të tjerë. Përcaktimi i shkakut të dëmit kërkon njohuri të posaçme të specialistëve të fushës, bazuar në nenin 224/a të K. Pr. Civile, e në këtë rast ekspert mjedisor.Megjithëse eksperti i caktuar nga gjykata ka shpjeguar mënyrën e ndikimit të gazit në uljen e prodhimit të ullinjve, ai nuk ka dhënë dhe nuk mund të japë një vlerësim të saktë dhe përfundimtar nëse bima e ullirit është dëmtuar nga sasia në ajër tej normave të lejuara të gazit H₂S apo edhe nga prania brenda normave të lejuara të sasisë të këtij gazi.Në rrethana të tilla, Kolegji vlerëson se gjykatat nuk kanë kryer një hetim të plotë dhe të zgjeruar për t’i dhënë zgjidhje të drejtë mosmarrëveshjes në gjykim, në kundërshtim me nenin 14 të K. Pr. Civile. Të dyja gjykatat e faktit kanë marrë si të mirëqenë konkluzionin e ekspertit të vetëm agronom për ekzistencën e dëmit dhe lidhjen shkakësore të tij me veprimtarinë e të paditurit, ndonëse ky ekspert vetë ka deklaruar se nuk ishte në gjendje të përcaktonte shkakun dhe kohën e dëmit për periudhën 2011–2013.

Në këtë kuadër, Kolegji vlerëson se gjykatat e shkallëve më të ulëta nuk kanë arritur të garantojnë një hetim të plotë, objektiv dhe të verifikueshëm për të vlerësuar lidhjen shkakësore në mënyrë të besueshme dhe të mbështetur në prova shkencore.