Nga 28 nëntori 2026 hyjnë në fuqi ndryshimet e parashikuara nga Ligji nr. 119/2026, datë 29.10.2026, i cili ndryshon disa dispozita të Ligjit nr. 9901/2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
Ndryshimet sjellin risi dhe detyrime të shtuara për shoqëritë tregtare, duke ndikuar në administrimin, organizimin dhe funksionimin e tyre. Ndër ndryshimet kryesore përfshihen:
- Kalimi i kuotave në SHPK: Përcaktohet detyrimi që kontrata për kalimin e kuotave, e cila deri më tani mund të lidhej në formë të thjeshtë shkresore, të lidhet në formën e aktit noterial, si kusht për vlefshmërinë e saj.
- Regjistri i posaçëm i shoqërisë: Parashikohet detyrimi për mbajtjen dhe ruajtjen e një regjistri të posaçëm, që përmban të dhënat kryesore të shoqërisë, ortakëve, administratorëve dhe dokumentacionin përkatës, për një periudhë prej të paktën 10 vjetësh.
- Transaksionet me palët e lidhura: Forcohen rregullat për identifikimin, miratimin dhe transparencën e këtyre transaksioneve. Miratimi përkatës kërkohet edhe për veprimet juridike që shoqëria kryen me palë të treta, të cilat kanë marrëdhënie personale ose financiare me personat e lidhur, kur këto marrëdhënie mund të ndikojnë në vendimmarrjen e tyre në kundërshtim me interesat e shoqërisë. Ligji prezumon ekzistencën e këtyre marrëdhënieve, ndër të tjera, në rastin e bashkëshortëve, prindërve, fëmijëve, vëllezërve, motrave, pasardhësve dhe personave të tjerë të afërm të përcaktuar shprehimisht në ligj.
- Kriteret për administratorët: Përcaktohen kushte dhe kufizime të reja ligjore për emërimin dhe ushtrimin e funksionit të administratorëve, përfaqësuesve ligjorë dhe anëtarëve të organeve drejtuese. Kufizimet lidhen, ndër të tjera, me dënimet e formës së prerë për vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, si dhe me ndalimet për ushtrimin e një profesioni. Nëse këto rrethana lindin pas emërimit, funksioni përkatës mund të përfundojë sipas parashikimeve ligjore.
- Degët e shoqërive të huaja: Saktësohen kërkesat për regjistrimin dhe dokumentimin e të dhënave të shoqërisë mëmë, si dhe rastet e përfundimit të ekzistencës së degës. Në veçanti, parashikohet pushimi i ekzistencës së degës edhe në rastin kur shoqëria e huaj çregjistrohet nga regjistri tregtar i shtetit ku është regjistruar.
- Riorganizimi i shoqërive: Shtohet mundësia e ndarjes së pjesshme të shoqërisë, duke lejuar transferimin e një ose disa pjesëve të aktiveve dhe pasiveve te një ose më shumë shoqëri ekzistuese ose të themeluara rishtazi, pa qenë e nevojshme shpërbërja e shoqërisë transferuese.
- Shoqëritë aksionare: Përditësohen rregullat për regjistrin e aksioneve, identifikimin e aksionarëve dhe ushtrimin e të drejtave të tyre. Gjithashtu, parashikohen dispozita të reja për shpërndarjen e fitimit, përdorimin e aksioneve të veta dhe mbrojtjen e kapitalit. Për shoqëritë e listuara, shtohen kërkesa të posaçme për transaksionet me palët e lidhura, politikën e shpërblimit të organeve drejtuese dhe transparencën ndaj investitorëve.


