Më 17 dhjetor 2020, Amber K. aplikoi për regjistrimin e markës “House of Zana” në Mbretërinë e Bashkuar për produkte të kategorisë “veshje” (Klasa 25). Por ky aplikim u kundërshtua nga kompania spanjolle “Industria de Diseño Textil, Sociedad Anonima”, pronare e markës së njohur “ZARA”.

Kundërshtimi u bazua në pretendimet se emrat janë shumë të ngjashëm dhe se përdorimi i “House of Zana” do të krijonte konfuzion te konsumatorët dhe se do të përfitonte padrejtësisht nga reputacioni i markës “ZARA” duke e dëmtuar atë.

Amber K. e mbrojti aplikimin e saj duke theksuar se marka ka identitet të veçantë, është frymëzuar nga kultura shqiptare dhe nuk synon të përfitojë nga ZARA. Ajo sqaroi se “Zana” ka kuptim në mitologjinë shqiptare (zanë) dhe nuk ka asnjë lidhje me markën “ZARA”.

Zyra për markat tregtare analizoi çështjen dhe vlerësoi se, edhe pse fjalët “Zara” dhe “Zana” kanë një ngjashmëri të pjesshme, prezenca e fjalëve “House of” në markën e propozuar krijon një dallim të qartë midis tyre. U konstatua se konsumatori mesatar nuk do të ngatërrojë këto dy marka, as nuk do të mendojë se ato vijnë nga i njëjti burim. Po ashtu, edhe pse marka “ZARA” ka një reputacion të fortë dhe të gjerë në fushën e modës, nuk u vërtetua që “House of Zana” përfiton padrejtësisht nga ky reputacion apo i shkakton ndonjë dëm konkret.

Për këtë arsye, kundërshtimi u refuzua dhe aplikimi për regjistrimin e markës “House of Zana” u lejua të vazhdojë.